Shtyhet rigjykimi i Enver Sekiraqës, shkak liberalizimi i vizave

17:17 | 7 Shkurt 2018
Arbresh.info

Rigjykimi ndaj Enver Sekiraqës nuk do të nisë edhe për disa muaj.

Kështu ka bërë ditur vet gjyqtari i  Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shashivar Hoti, i cili është caktuar ta gjykojë këtë rast.

Gjyqtari Hoti i ka thënë Arbresh.info se procesi gjyqësor i këtij rasti nuk mund të nisë në shkurt siç ishte pretenduar më herët, krejt kjo për shkak të ngarkesës së madhe të lëndëve të korrupsionit, të cilat i ka aktualisht në punë dhe duhet t’i përfundojë deri në qershor.

 “Jo ende nuk e kam caktuar seancën, mirëpo do ta caktojë. Unë e kam pasur një plan për ta caktuar seancën në këtë rast, mirëpo për shkak të disa lëndëve që janë me rëndësi primare, të cilat po i kërkon Ministria e Integrimeve për shkak të liberalizimit të vizave, është dashtë mi shti në raport edhe në punë më herët”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, as në mars nuk është e sigurt nëse do të fillojë gjykimi ndaj Sekiraqës.

Gjyqtari Hoti tha se rastet e korrupsionit, të cilat kanë prioritet prej të gjitha rasteve të tjera po marrin shumë kohë, dhe kjo është arsyeja e vetme pse po zvarritet ky fillimi i këtij procesi gjyqësore.

Ai tha se nuk ka asnjë arsye tjetër që ky rast të mos nisë.

“Nuk di çka me thënë për këtë, në mars i kam disa lëndë me prioritet, sepse këto lëndë po na i kërkon Ministria e Integrimeve Evropiane. Këto raste po na marrin kohë më tepër sepse janë lëndë të rënda dhe gjithmonë po duhet mi fut në prioritet, dhe kjo është arsyeja pse është vonuar dhe nuk është caktuar ende seanca ndaj Enver Sekiraqës. Këto lëndë duhet mi fut në projekt mi përfundua brenda gjashtë mujorit të parë, e pastaj me filluar me lëndë të tjera”, është shprehur gjyqtari Shashivar Hoti.

Në tetor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit vendosi që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte shpallur fajtor dhe ishte i dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në maj të vitit 2016 më  37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza më 30 gusht 2007 .

Ai është  akuzuar për tri vepra penale, derisa akuza kryesore ishte për kryerje të vrasjes së rëndë të pjesëtarit të Policisë së Kosovës.

Prokurori Andrew Carney e ka akuzuar Enver Sekiraqën për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza në gusht të 2007-s në Prishtinë.

Sekiraqa akuzohej se kishte nxitur Arben Berishën për të kryer vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza dhe për vepra të tjera.

Për vrasjen e Rizës është i dënuar Arben Berisha me 30 vjet burgim, si dhe  dy persona tjerë.

Pas një kohe të gjatë në arrati, Sekiraqa ishte dorëzuar në vitin 2012.  Pas dorëzimit ai kishte vuajtur një dënim për një incident me policët të cilët tashmë janë në burg dhe të akuzuar për shpërthimin në lokalin e tij në Prishtinë.  /Arbresh.info/Gita Lushi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme