Fakulteti Ekonomik i Universitetit Publik të Prishtinës për më shumë se shtatë muaj nuk e ka kryer një ekspertizë të kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, andaj kjo ka bërë që të shtyhet seanca gjyqësore ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj.
Fillimi i rigjykimit ndaj ish-drejtorit të Arsimit për Prizren, Nexhat Çoçajt dhe Bekim Thaqit e Bedri Çekut, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ishte paraparë që të mbahej të mërkurën, por është shtyrë në mungesë të ekspertizës në fjalë.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka thënë se sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, ka dërguar lëndën penale të këtij rasti në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës, për të kryer super-ekspertizën financiare në këtë rast penal.
Gjykatësja Skenderi ka thënë se lëndën e ka dërguar në këtë fakultet, në shkurt 2017, ndërsa më 28 shtator 2017, ka pranuar një shkresë nga dekani i Fakultetit Ekonomik, në të cilën shkruhet se natyra e lëndës ka të bëjë më shumë me aspekte administrative, andaj nuk mund të bëjnë ekspertizën e kërkuar nga gjykata.
Trupi gjykues, në pajtim me palët në procedurë, ka marrë vendim që të caktojë tre ekspertë, brenda listës së ekspertëve financiarë që ka gjykata, që të bëjnë super-ekspertizën, ku njëri prej tyre duhet të jetë profesor universitar.
Seanca e radhës, do të mbahet pasi që të bëhet super-ekspertiza financiare në fjalë.
Në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës.
Për këto akuza, në qershor 2016, Çoçaj është dënuar me tre vjet burgim efektiv, Thaqi është dënuar me një vit e dy muaj burgim, ndërsa Çeku është dënuar me gjashtë muaj burgim.
Më 27 shtator 2016, Apeli ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka kthyer lëndën në shkallën e parë për ri-vendosje. Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.
Apeli gjithashtu ka kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunal.
Në aktvendimin e Apelit, tutje thuhet se i akuzuari Nexhat Çoçaj, ka prezantuar një ekspertizë financiare, e cila i kundërshton gjetjet e ekspertizës së organit të akuzës, andaj duhet që të bëhet një super-ekspertizë që të sqarohen kundërthëniet.
Trupit gjykues, duke u bazuar në rekomandimet e Apelit, në shkurt të këtij viti, ka marrë vendim që në këtë lëndë të bëhet super-ekspertiza financiare dhe lënda është dërguar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës./Betimipërdrejtësi/
Daut Haradinaj: Kurti po injoron shkeljen e të drejtave të s...
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...
Rritet numri i të vrarëve në sulmin rus në Odesa
Chiesa rikthehet në Itali, afër gjigantit italian
Bedri Hamza në Zvicër: Diasporën do ta kemi edhe në Kuvend d...
Ishte në kërkim nga drejtësia, arrestohet një 40 vjeçar në H...