Për shkak të mungesës së anëtares së trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova dhe të akuzuarit Sali Pepshi, është shtyrë seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Pejë.
Në këtë rast, bashkë me Pepshin po akuzohen për korrupsion edhe pesë zyrtarët tjerë të Junikut: Qaush Krasniqi, Albian Shehu, Fatmir Isufaj, Avdyl Maloku dhe Hysen Imeri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me mungesën e gjykatëses Husaj-Rugova, kryetari i trupit gjykues Shaqë Curri, tha se e njëjta mungon për arsye familjare.
Për të njëjtën arsye mungoi edhe i akuzuari Sali Pepshi, këtë e bëri të ditur mbrojtësi i tij, avokati Burhan Shabanaj.
Andaj në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për muajin qershor.
Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, ngarkon gjashtë zyrtarët e Komunës se Junikut, Qaush Krasniqi, Albian Shehu, Fatmir Isufaj, Sali Pepshi, Avdyl Maloku dhe Hysen Imeri, me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “Legalizim i përmbajtjes së rreme”.
Sipas aktakuzës, Qaush Krasniqi, në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit për tenderin e mirëmbajtjes dhe servisimin e automjeteve të komunës, kishte pranuar fatura të paverifikuara, duke miratuar pagesat në kundërshtim me LMFP dhe Rregulloren e Thesarit, duke lejuar të bëhet pagesa për shërbimet e pakryera nga operatori ekonomik “Juniku Reisen”, me menaxher të akuzuarin Albian Shehu, ku për pasojë buxheti i Komunës Junikut u dëmtua prej 4 mijë e 9 euro e 84 centë.
I akuzuari Albian Shehu sipas aktakuzës, me qëllim që të vë në lajthim organin kompetent, me dashje kishte futur të dhëna jo të sakta në faturat për shërbimet e mirëmbajtjes dhe servisimit të automjeteve, me qëllim të përfitimit të padrejtë.
I akuzuari Fatmir Isufaj, po akuzohet se si menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Junikut, me dashje i kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për operatorin ekonomik “Juniku Reisen”, duke e pranuar dhe nënshkruar një ofertë joserioze- kontratë me këtë të fundit lidhur me aktivitetin e prokurimit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Sali Pepshi, Avdyl Maloku dhe Hysen Imeri, si persona zyrtarë në Komunën e Junikut, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare duke i mundësuar përfitimin e kundërligjshëm operatorit ekonomik “Juniku Reisen”, ku ishin caktuar si anëtarë të komisionit për vlerësimin e ofertave dhe të njëjtit pasi që i kanë vlerësuar ofertën e operatorit të lartcekur, e kanë rekomanduar për kontratë edhe pse oferta nuk i ka plotësuar as për së afërmi kriteret kualifikuese.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...