Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të premten, ka dështuar të nis shqyrtimi gjyqësor ndaj Xhemal Shalës, Sadik Shalës, Iskender Sales, Alban Gashit e Labinot Zenelajt, të akuzuar për organizim të grupit kriminal, shitblerje së narkotikëve, legalizim të përmbajtjes së rreme e vepra tjera penale.
Si arsye për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e njërit nga pesë të akuzuarit, Alban Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj, gjykata nuk posedon prova nëse i akuzuari Gashi kishte pranuar ftesën për këtë seancë.
“Mungon i akuzuari Alban Gashi, për të cilin gjykata nuk ka pranuar fletëkthesën në shkesat e lëndës dhe mbi këtë bazë tani për tani konstaton se nuk ka prova se i njëjti e ka pranuar ftesën”, tha gjykatësja.
Po ashtu, gjykatësja Musliu-Selimaj ka njoftuar se në këtë seancë nuk ka mundur të prezantojë as mbrojtësi i Gashit, avokati Besnik Berisha.
“Mbrojtësi i tij, përmes e-mailit zyrtar i ka dorëzuar gjykatës një njoftim, se ftesën për seancë e ka pranuar më 1 korrik dhe se e ka të pamundur të gjejë një zëvendësim apo të prezantojë në këtë gjykim”, shtoi gjykatësja.
Sipas gjykatëses Selimaj, nëse rezulton se i akuzuari Gashi nuk i është përgjigjur ftesës, atëherë ndaj tij do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësja mori vendim që ajo të ndërpritej.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më 16 korrik nga ora 09:00.
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 28 janar 2020, pesë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat që u ngarkohen.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 20 dhjetor 2019 ka ngritur aktakuzë ndaj Xhemal Shalës, Sadik Shalës, Iskender Sale, Alban Gashi dhe Labinot Zenelaj.
Sipas aktakuzës të akuzuarit Shala dhe ai Sale, si shtetas turk duke vepruar në bashkëpunim si një grup kriminal i strukturuar dhe i organizuar, i shtrirë në territorin e shtetit të Iranit, Shqipërisë dhe Kosovës, i përbërë prej shumë anëtarëve, në mes të tyre të akuzuarit dhe tani i ndjeri N.C me dashje dhe me dijeni aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit, ashtu që pa autorizim kanë blerë dhe poseduar substanca narkotike të llojit heroinë, me qëllim të shitjes dhe transportimit të tyre ku gjatë vitit 2018 kanë blerë heroinë nga Iraku e cila ka arritur me maune në pllaka të mermerit në Shqipëri dhe pastaj në Kosovë.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit me qëllim të ikjes së ndjekjes penale kanë bërë ndërrimin e identiteteve ashtu që i ndjeri N.C ka siguruar identitetin Lavdim Nimani dhe Lulzim Shala, i akuzuari Sale ka pasur identitetin Mehmet Gjini, kurse i akuzuari Xhemal Shala me identitetin Skender Sheremeti.
Tutje thuhet se të akuzuarit duke vepruar si grup kriminal, ashtu që i akuzuari Sadik Shala më 14 shkurt 2017 ka regjistruar një biznes në emrin e tij me seli në Ferizaj i cili gjatë vitit 2017-2018 ka eksportuar gjithsej 19 maune me pllaka të mermerit dhe gurë dekorues, ku në eksportin e fundit me 13 tetor 2018 përmes kësaj firme janë eksportuar gjashtë maunë pllaka të mermerit, ku në njërën nga këto maune në 10 paketime të pllakave nga secila prej tyre ka pasur nga dy bunkerë ku ka qenë e vendosur heroina në peshë bruto prej rreth 113 kg, e cila është konfiskuar në banesën e të ndjerit N.C në Prishtinë.
Sipas prokurorisë, tani i ndjeri N.C i cili ka qenë në krye të këtij grupi kriminal e ka bërë porosinë e heroinës e cila është vendosur në paketimet e këtyre pllakave të mermerit, pasi që i njëjti ishte njohës i mirë i gjuhës kurde, ku të njëjtat pllaka me substancën narkotike kanë ardh në firmën e të akuzuarit Shala, të cilat pagesa deri në Shqipëri i ka kryer i ndjeri N.C, ndërsa nga Shqipëria në Kosovë pagesat i ka kryer Sadik Shala në emër të biznesit të tij.
Siç thuhet në aktakuzë i akuzuari Xhemal Shala më 12 korrik 2018, sipas marrëveshjes gojore me të ndjerin N.C dhe të akuzuarin Sadik, e kishte marrë me qira oborrin e depos ku ishte i vendosur biznesi i të akuzuarit Sadik, të cilin e kishin shfrytëzuar për ti vendosur pllakat e mermerit dhe gurët dekorues të eksportuar në Kosovë, me qëllim të shitjes së heroinës më pastaj. I akuzuari Shala kishte marrë një banesë më qira në Fushë Kosovë ku gjatë kontrollit të saj i janë gjetur një qese me substancë narkotike- heroinë, pesë valixhe të zbrazëta me mbetje të pluhurit të heroinës, shirita ngjitës dhe dorëza të gomës të cilat janë shfrytëzuar për përpunimin edhe paketimin e substancës narkotike.
Në aktin akuzues thuhet se më 13 tetor 2018, i ndjeri N.C së bashku me tre të akuzuarit kanë shkuar në Ferizaj në depon e të akuzuarit Sadik, ku e kanë nxjerrë heroinën në peshë bruto prej rreth 113 kg nga gjashtë maunet e pllakave, të cilën të nesërmen e i kanë vendosur në bagazh të veturës dhe e kanë sjellë në banesën e të ndjerit në Prishtinë, e cila më pastaj është sekuestruar më 2 dhjetor 2018.
Me këto veprime tre të akuzuarit kanë kryer veprën penale “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga nenin 283 par.1 të KPRK-së lidhur me veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve dhe substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273 par.2 të KPRK-së lidhur me nenin 281 par.1 pika 1.9 të KPRK-së.
Sipas aktit akuzues Xhemal Shala dhe Iskender me të kuptuar se më 19 tetor 2018 në Shqipëri janë publikuar emrat e tyre si persona të dyshuar se fshihen pas rastit të laboratorit të drogës në Has të Shqipërisë, me qëllim që ti shmangen arrestimit kanë paraqitur fakte të rreme në Qendrën e Regjistrimit në Prishtinë dhe në Obiliq, me ç’rast kanë paraqitur ekstraktin lindjes me të dhënat e personit Mehmet Gjini dhe të dhënat e personit Skender Sheremeti, ku me ndihmën e tani të ndjerit N.C i cili i ka vënë në kontakt me të akuzuarin Alban Gashi nga ai kanë siguruar këto ekstrakte të lindjes.
Gjithnjë sipas aktakuzës këta të akuzuar së bashku me të akuzuarin Gashi, janë takuar edhe me një person deri më tani të panjohur, i cili i ka shoqëruar në këto dy qendra të regjistrimit, ku duke i paraqitë faktet e rreme i kanë vu në lajthim zyrtaret në qendrat e regjistrimit dhe kanë arritur ti sigurojnë dokumentet me identitet të reja.
Me këto veprime secili nga tre të akuzuarit veç e veç kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, nga neni 403 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi në periudhën kohore tetor- nëntor 2018, me dashje ju ka ndihmuar të akuzuarve, Xhemal dhe Iskender dhe të ndjerin N.C, në shmangien e zbulimit dhe mos arrestimin e tyre, nga organet e ndjekjes së Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe me qëllim të përfitimit pasurorë u ka ndihmuar në nxjerrjen e dokumenteve zyrtare në mënyrë të kundërligjshme, duke i marrë të ndjerit N.C nga 5000 mijë euro për secilin dokument.
Prokuroria e ngarkon atë me veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 388 par.2 nën par. 2.8 lidhur me par 1 të KPRK-së.
I akuzuari Gashi nga prokuroria ngarkohet edhe me veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 398 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, sepse ai më 24 dhjetor 2018 me dashje ka përpiluar dokument të falsifikuar, një autorizim të lëshuar kinse në emër të noteres Feraseta Pejcinovic në Pejë, i cili paraqet faktin e rremë se kinse autosalloni “Endriti”, me përfaqësues Valon Baram, e autorizon të ndjerin N.C me të dhënat Lulzim Shala, ko formalizon blerjen e sendit të luajtshëm dhe atë veturën e tipit “BMË 7”, në vlerë prej 80 mijë euro, të cilën e ka shfrytëzuar i ndjeri si autorizim të vërtetë, ku më 2 dhjetor 2018, i është gjetur atij në banesën e tij.
Gjithashtu prokuroria e akuzon edhe Labinot Zenelaj për veprën penale të mashtrimit nga nenin 335 par.5 lidhur me par.1 të KPRK-së, pasi që sipas saj, më 2 dhjetor 2018 në Prishtinë, ai me dashje me paraqitjen e fakteve të rreme e ka mashtruar drejtorin e autosallonit “Alberti”, Bujar Bajrami me qëllim të përftimit pasuror në mënyrë të kundërligjshme, për vete dhe atë me të kuptuar se kishte vdekur i ndjeri N.C, i cili e posedonte veturën “BMË 7”, e thërret të njëjtin në telefon the i thotë “më i ka humbur çelësi i BMË-së, vetura më ka mbetur në Brezovicë, dhe ka arsye që mund ta vjedh dikush apo dëmtoj”, atëherë Bujari e ka telefonuar Mentor Maqanin nga i cili ka kërkuar që të ja jep çelësin rezervë të akuzuarit, dhe pasi që i akuzuari e ka marrë çelësin dhe ishte në dijeni se vetura e të ndjerit N.C ishte parkuar në parkingun e banesës së të ndjerit në Prishtinë, shkon aty dhe e merr veturën të cilën e ka mbajtur një javë, pastaj ja ka dhënë Selim Qerkës për të udhëtuar në Republikën e Maqedonisë, e cila veturë më 8 dhjetor 2018 është sekuestruar në ikën kufitarë në Han të Elezit.
Sigurohet furnizimi i rregullt me rrymë për vendin dhe ngroh...
Mundësohet furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali ...
Shpërthimi në Ibër Lepenc/ Policia rrit masat e sigurisë, pë...
Moti sot me shi e borë
Shpërthimi në Ibër Lepenc, çfarë dihet deri më tani
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...