Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi, ashtu që ka vendosur që të shtyhet ekzekutimi i vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kësaj Komune në “Prishtina e re”, me pronat në Zllatar.
Sipas njoftimit, thuhet se duke aprovuar kërkesën e saj për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, Gjykata vendosi se ky vendim nuk do të ekzekutohet, deri në momentin kur Gjykata të vendosë mbi meritat e këtij rasti.
“Me 25 janar 2024, IKD ka parashtruar padi, me kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës nr. 01-20/04-236518/23, i datës 26.12.2023, për këmbimin e pronës komunale, konkretisht parcelës kadastrale, nr. 01998-1, me sipërfaqe të përgjithshme 208318 m2 (Zona Kadastrale në Çagllavicë), dhe kalimin e kësaj prone në pronësi të Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit, me pronën, konkretisht parcelat kadastrale, nr. 00578-4, me sipërfaqe 3426 m2 (Zona Kadastrale Zllatar), me pronar Rrahman Haradinit dhe Shaban Konxhelit dhe kalimn e kësaj prone në pronësi të Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se Gjykata gjeti se me propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, IKD ka ofruar argumente të besueshme se në rastin konkret janë përmbushur në tërësi dhe në mënyrë kumulative të gjitha kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, ashtu që ekzekutimi i këtij vendimi do të sjellte dëm vështirë të riparueshëm.
Gjithashtu, Gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi nuk është në kundërshtim me interesin publik dhe as nuk i sjell dëm të madh palës kundërshtare apo personit të interesuar. Përkundrazi, Gjykata gjeti se pikërisht shtyrja e ekzekutimit të vendimit paraqet interes publik.
Kështu, Gjykata gjeti se IKD ka argumentuar mjaftueshëm përmbushjen e kushteve ligjore për aprovimin e kërkesës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, derisa Gjykata të vendosë përfundimisht lidhur me ligjshmërinë e vendimit të kontestuar përkitazi me padinë e IKD.
Ndryshe, me 20 janar 2024, IKD kishte reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për këmbimin e pronës së kësaj Komune në “Prishtina e re”, me pronat në Zllatar, duke e cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm. /Arbresh.info
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...