Google ADS

Shtrenjtimi i taksive, Rama: Do të stimulojmë përdorimin e Trafikut Urban

20:16 | 15 Mars 2022
L G

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media, ka folur rreth rritjes së çmimit të taksive.

Rama tha se kjo është lejuar për një periudhë kohore për shkak të ngritjes së çmimit të naftës.

Ai theksoi se kjo do të stimulojë përdorimin e Trafikut Urban.

“Ngritja e çmimit është kërkesë e taksive, për arsye të ngritjes së lartë të çmimit të naftës. Për këtë periudhë kohore, përderisa ngritja e çmimeve është e lartë, kemi lejuar edhe ngritjen e çmimeve të taksive, ndërsa ajo do të rishqyrtohet në të ardhmen, domethënë nëse ka bazë për ta ndryshuar”.

“Aspekti tjetër është që të stimulojmë përdorimin e trafikut urban, po ashtu edhe me intervenimet tona urbane që tash mundësojnë edhe hapjen e hapësirave publike që mundësojnë në zonën në qendër, të stimulojmë edhe përdorimin e trafikut urban sa më shumë që është e mundur sepse ato fonde shkojnë drejtpërdrejt mbrapa në shërbimet për qytetarët tanë”.

Numri një i Prishtinës shtoi se janë duke bashkëpunuar me Bankën Evropiane, për të marrë edhe 30 autobusë shtesë për lagjet dhe fshatrat që nuk kanë linja të transportit publik.

“Edhe me këtë kemi pasur takime me Bankën Evropiane, me të cilët jemi në bashkëpunim për të nënshkruar kontratën, që të marrim edhe 30 autobusë shtesë. Po ashtu, të njëjtën kohë e kemi edhe memorandumin e bashkëpunimit për bashkëpunim me sektorin privat. Pra të gjitha këto kompani private, të cilat ofrojnë shërbime nëpër fshatra të ndryshme do të kenë mundësi që tash të ndërrojmë këtë qasje, të jenë kontratat e bazuara në kilometra e jo në destinacion”.

Me vendimin që ka hyrë në fuqi më 9 mars, Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për ngritjen e tarifës së startit të taksive nga 1.50 në 2 euro për kilometrat e parë.

Të ngjashme