Google ADS

Shtrenjtimi i mundshëm i rrymës, ekspertët e ekonomisë: Do të ndikonte edhe në rritjen e çmimeve të produkteve

14:25 | 8 Mars 2025
E.K

Rritja e mundshme e energjisë elektrike do të sillte edhe rritjen e çmimeve të produkteve.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike në një përgjigje për Arbresh.info.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Ismet Mulaj tha se produktet të cilat mund të rriten janë buka, mielli, vaji, sheqeri dhe qumështi.

Mulaj thotë se rritje do të kishte edhe në çmimet e produkteve të ndërtimit dhe mallrave industriale si tekstili e plastika.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë drejtpërdrejt në kostot e prodhimit, pasi shumica e bizneseve, veçanërisht ato prodhuese, varen nga rryma për proceset e tyre të punës. Kjo do të çojë në shtim të shpenzimeve të operimit, gjë që përfundimisht do të reflektohet në çmimet e produkteve për konsumatorët. Përveç kësaj, zinxhiri i furnizimit, nga transporti te ruajtja e produkteve, do të përballet me rritje të kostove, duke ndikuar në të gjitha fazat e tregut.”, tha ai.

Edhe njohesi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa vlerëson se do të ketë një rritje të çmimeve të produkteve duke thënë se kjo do të ndikonte edhe në koston e ekonomive familjare ku sipas tij, do të bëhet e paperballueshme.

“Me rritjen e çmimit të rrymës, pritet të ketë ndikim gjithashtu në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, pasi zinxhiri i furnizimit do të shkaktojë rritjen e çmimeve të produkteve elementare. Kjo do të çojë në rritjen e kostos së ekonomive familjare, duke e bërë atë gjithnjë e më të papërballueshme.”, u shpreh ai.

Mulaj pati edhe disa rekomandime për masat që duhen marrë nga institucionet për rritjen

Cilat janë rekomandimet për masat që siç tha ai, do të ndikonin në zbutjen e ndikimeve të rritjes së çmimit të rrymës dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomik.

“Diversifikimi i burimeve të energjisë – Investimi në burime alternative si energjia diellore dhe e erës do të zvogëlonte varësinë nga rryma tradicionale dhe do të stabilizonte çmimet në afatgjatë.

Mbështetja e bizneseve prodhuese – Ofertimi i lehtësirave fiskale për kompanitë që investojnë në teknologji më efikase të konsumit të energjisë.

Monitorimi i çmimeve të tregut – Vendosja e mekanizmave për të parandaluar abuzimet me çmime nga bizneset që mund të shfrytëzojnë situatën për fitime të pajustifikuara.

Përmirësimi i infrastrukturës energjetike – Reduktimi i humbjeve teknike dhe investimi në sistemin e shpërndarjes për të përmirësuar eficiencën dhe ulur koston e prodhimit të energjisë.”, tha ai.

Ndërkaq Bellaqa sugjeroi përgatitjen e një projektligji për caktimin e çmimeve tavan dhe dysheme për produktet.

“Në këto situata, kur përkeqësohet situata e tregut, institucionet përgjegjëse duhet të përgatisin një projektligj për produktet jetësore, ku do të caktohen marzha për çmimet tavan dhe çmimet dysheme. Ekzekutivi i ardhshëm duhet të hartojë këtë projektligj, ndërsa ligjvënësit duhet ta miratojnë atë për të siguruar një kontroll më të fortë mbi çmimet dhe për të mbrojtur interesat e konsumatorëve.”, tha Bellaqa.

Në fund të muajit shkurt, kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesë për rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

Kështu konfirmoi kreu i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE), Ymer Fejzullahu.

Sipas tij, ZRRE-ja është në fazën e vlerësimit të këtyre aplikimeve.

Pas përfundimit të këtij procesi, ai thotë se ky institucion do të hartojë një raport të detajuar të vlerësimit, i cili do të jetë i disponueshëm edhe për konsultim publik.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind./Arbresh.info/Erolinda Gashi/

Të ngjashme

Foto lajm