Prania e qenve në rrugët e kryeqytetit është shtuar. Derisa Komuna e Prishtinës premton një zgjidhje, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve tregon se cila mund të jetë zgjidhja më e mirë.
Ata kanë nevojë për strehim dhe përkujdesje nga institucionet përkatëse që mos të mbesin në rrugë.
Zëdhënësja e Komunë së Prishtinës, Miranda Mullafazliu, sqaron për arbresh.info se nga komuna është kontraktuar një operator ekonomik për trajtimin e tyre.
“Komuna e Prishtinës përmes operatorit ekonomik të cilin e ka të kontraktuar për trajtimin e qenve endacak ka trajtuar qentë endacak të cilët qëndrojnë në hapësirat publike me trajtimin KSVL (Kastrim, Sterlizim, Vaksinim dhe Lirim), trajtim ky i cili e ndalon tërbimin”, ka thënë Mullafazliu.
Ajo thotë se është vështirë që të sistemohen të gjithë qentë ndërsa ka treguar se do të ketë qendër për strehimin e tyre e cila pritet të ndërtohet në Hajvali të Prishtinës.
“Është e vështirë të sistemohen të gjithë, por do të mundohemi që të gjithë qentë të cilët gjatë sezonës së dimrit tërbohen nga mungesa e ushqimit, t’i sistemojmë. Lokacioni i qendrës që do të ndërtohet është në Hajvali. Procedurat e tenderimit ende nuk kanë përfunduar”, ka treguar ajo.
Ndërsa Elza Ramadani nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka treguar se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për kafshët endacake në përgjithësi e cila poashtu ka treguar arsyen pse kanë ardhur në këtë gjendje.
“Zgjidhja më e mirë për të reduktuar qentë dhe kafshët endacake në rrugë është të ndalohet burimi i shumimit të tyre. Arsyeja kryesore e gjendjes se kafshëve endacake siç e kemi tani në Kosovë, qëndron tek braktisja e vazhdueshme e qenve dhe maceve me mbajtës (pronar). Ne Kosovë çdo person mund te mbarështoj qen dhe mace, pa asnjë kontroll dhe licencim për ta bërë atë. Kjo sjelle shumë parregullsi dhe rrezikon shumë edhe shëndetin publik, sepse të gjitha kafshët në Kosove duhet të lajmërohen tek Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe të vaksinohen kundër sëmundjeve të ndryshme, të cilat janë ngjitëse edhe tek njerëzit”, ka treguar ajo.
Ajo tutje thotë se zgjidhje tjetër për reduktimin e qenve endacakë do të ishte regjistrimi i tyre me pronarë, kastrimi, sterilizimi dhe vaksinimi i tyre.
“Ne mendojmë që për momentin, zgjidhja më e mirë për reduktimin e qenve endacak në Kosovë është të identifikohen dhe regjistrohen të gjitha kafshët me pronarë në mënyrë që kur bëhet braktisja e tyre, të ndëshkohen pronaret dhe të krijohen normativa që i bën braktisësit të paguajnë për strehimin e qenit të tyre, në mënyrë që mos të mbetet në rrugë. Përpos regjistrimit të kafshëve shtëpiake, shteti duhet të subvencionojë programe të kastrimit, sterilizimit dhe vaksinimit të qenve me pronarë. Kastrimi i qenve dhe maceve është mëse i dobishëm për vet shëndetin e kafshës dhe largon rrezikun e shumimit në rrugë të qenit apo maces që eventualisht do të përfundonin në rrugë. Për më tepër, dhe shumë e rëndësishme është edhe zbatimi i programeve të kastrimit dhe vaksinimit të qenve (maceve) endacak”, ka thënë tutje ajo.
Sipas Ramadanit qeveria e fundit e Kosovës në vitin 2017, ka ndarë 1.3. milionë euro për projektin e Kapjes, Sterilizimit, Vaksinimit dhe Lëshimit (KSVL) që ishte i menaxhuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë periudhës maj-dhjetor 2018 ndërsa në vitin 2020 ajo thotë se pritet të fillojë projekti i njëjtë po ashtu.
Sipas saj janë disa komuna që kanë zbatuar këtë projekt.
“Disa Komuna veçse kanë qenë duke zbatuar këto projekte, si p.sh. Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Fushë Kosovës dhe Suharekës. Vetëdija e institucioneve publike, në një shkalle është vetëdijesuar sa i përket nevojës së madhe të trajtimit (sterilizimit) të qenve endacak”, është shprehur ajo.
Drejtoresha e Fondacionit shton se një strehim i duhur dhe human do të ishte idealja për të gjitha kafshët endacake ku do të kishte programe të trajnimit për ta dhe ku ajo qendër e strehimit do të mund të realizonte kampanja për adoptimin e qenve dhe maceve por që sipas saj shteti i Kosovës ende nuk është i gatshëm për ndërtimin e kësaj qendre.
Megjithatë ajo thotë se edhe qytetarët duhet të sillen mirë me qentë endacakë.
“Për fat të keq, shteti i Kosovës ende nuk është i gatshëm të ndërtojë kësi lloj qendra të qëndrueshme, humane në respektimin e mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve. Për këtë arsyeje, lëshimi i qenve endacak në rrugë, pas kastrimit të tyre, është zgjidhja më e mirë. Qytetarët nëse do silleshin pak me mirë me qentë, bashkëjetesa e qenve me njerëz do të ishte në harmoni dhe agresiviteti i qenve ndaj njerëzve do të zhdukej krejtësisht. Duhet t’ua rikujtojmë shoqërisë që qentë agresive, ne i krijojmë. Qentë nga natyra, nuk janë agresive. Kjo praktike bëhet edhe në Jug të Italisë. Qentë lirohen në rrugë dhe Komuna bashkë me qytetarët lajmërohen vullnetarisht për t’u ndihmuar qenve me ushqim dhe strehë herë pas here”, ka thënë drejtoresha e Fondacionit për Kafshët.
Sa i përket Komunës së Prishtinës Ramadani ka thënë se kjo komunë është gati për ta shpallur ndërtimin e Qendrës për Trajtim të Përkohshëm për tenderim.
“Ne vitin 2020 Kosova do ta ketë kliniken e parë publike për kafshët endacake. Ky është një hap mjaft i madh. QTP është e paraparë me Udhëzimin Administrativ 042017 – përcaktimi i kushteve të ndërtimit të Qendrës për Trajtim te Përkohshëm për Kafshët Endacake”, ka thënë Ramadani.
Sipas saj kjo Klinikë do të shërbejë për të bërë kastrimin, sterelizimin, shërimin, vaksinimin e kafshëve endacake.
“Disa kafshë të shëndetshme do të kthehen në rrugë dhe komuniteti do duhej të kujdeset për ta, deri sa të rritet kapaciteti i vet qendrës për strehim më të gjatë deri në adoptim të kafshës. Kurse qentë me te dobët, agresive dhe të sëmurë, do të mbahen në qendër që mos ta rrezikojnë shoqërinë”, ka përfunduar ajo./arbresh.info/R.Rexhepi/
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...