Shtohen zërat për ratifikim të demarkacionit

07:56 | 7 Mars 2018
Arbresh.info

Zërat që marrëveshja për demarkacionin në mes Kosovës dhe Malit të Zi duhet të ratifikohet po shtohen dita-ditës. Kjo për shkak që seanca e Kuvendit ku pritej të diskutohej dhe të ratifikohej kjo marrëveshje dështoi për tri herë radhazi, shkruan arbresh.info.

E gjithë kjo ka bërë qëshoqëria civile në vend përmes një letre t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojnë sa më shpejtë këtë marrëveshje.

U bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke zgjidhur një nyje që ka mbajtur të lidhur skenën politike kosovare për vite të tëra, por edhe duke shënuar hapa progresiv drejt përfundimit të izolimit të qytetarëve të vendit për udhëtimin e lirë në vendet e Schengenit”, thuhet në letrën e shoqërisë civile.

Ata vlerësojnë se debati rreth demarkacionit është konsumuar dhe se tash duhet të veprohet konkretisht për të zhbllokuar situatën.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku ky projektligj pritet të ratifikohet ende nuk dihet se kur do të mbahet.

Por se a do të zgjidhet kjo çështje këtë javë. Zëvendëskryeministri i Kosovës Behgjet Pacolli ka thënë se beson që demarkacioni do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës gjatë kësaj jave.

Analisti politik Leon Duhanaj, thotë për arbresh.info se çështja e demarkacionit tanimë është kthyer në makth për politikën kosovare dhe qytetarët e saj.

Ai ka deklaruar se kjo qeveri duhet të bëhet e qartë në këtë aspekt dhe të tregojë se a i ka votat dhe vullnetin ta shtyjë këtë çështje përpara, apo të përjetojë rënien siç ka ndodhur edhe me qeverinë e kaluar.

“Për mendimin tim, kjo çështje duhet të përmbyllet sa më parë. Ndryshe, dëmi që i bëhet Kosovës, është shumë më i madh se sa humbja e supozuar e territorit.Është me rëndësi jetike që qytetarët e Kosovës ta shijojnë jetën e të qenit të lirë në plotë kuptimin e fjalës.Nëse demarkacioni nuk ratifikohet këto dit, atëherë  nuk do kemi liberalizim këtë vit. Dihet që viti i ardhshëm, është vit zgjedhorë në Unionin Europian. Dhe, nëse nuk kemi liberalizim brenda këtij viti, mund të ndodhë që kjo çështje të shtyhet edhe për minimum një vit shtesë”, ka thënë Duhanaj për arbresh.info.

Sipas tij, kjo çështje duhet të mbyllet sa më shpejtë shkaku i interesit strategjik të Kosovës.

“Është interesi strategjik i Kosovës, që kjo çështje të jetë e mbyllur dhe, kufiri të marrë formë të njohjes ndërkombëtare si kufij ndërshtetërorë. Këtu është edhe problemi kyç sepse Serbisë nuk i konvenon demarkimi i këtij kufiri dhe prandaj nuk len gurë pa rrokullisur vetëm e vetëm për ta ndaluar. Ajo synon destabilizimin e Kosovës dhe Malit të Zi pikërisht për të mos kaluar kjo çështje, pasi që Serbia synon ta ndaj Kosovën dhe pikërisht këtë segment synon ta mbajë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, politologu Gurakuç Kuçi deklaron se demarkacioni do të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, por se procesi i kësaj çështje sipas tij që nga fillimi është tmerri që po i ndodhë Kosovës.

“Kalimi i demarkacionit dhe liberalizimi i vizave është vetëm edhe një hap që t’i siguroj jetëgjatësi klasës së tanishme politike, dhe demarkacioni po përdoret madje si kauzë për amortizimin e kriterit tjetër, që është luftimi i korrupsionit. Kosova ka nevojë për shtet ligjor dhe zhvillim ekonomik, sepse pritjet para ambasadave nuk janë për viza turistike, por në shumicë për punësim dhe ikje nga vrima e zezë e quajtur Kosovë”, ka thënë ai.

Kuçi ka pohuar se kemi një klasë politike e cila mbron interesat personale, por është e përçarë për interesa shtetërore.

BE-ja dhe SHBA-ja, vazhdimisht kanë drejtuar thirrje për kthjellim të popullit të Kosovës, këta të fundit asnjëherë nuk dëgjuam dhe nuk i ofruam bashkësisë ndërkombëtare klasë më të mirë për bashkëpunim, e tani duhet të vuajmë pasojat e manipulimit të kritereve dhe propagandës së tyre të paskrupullt. Pra, kemi një klasë politike që mbron interesat personale dhe është e përçarë për interesa shtetërore, ku me kalimin e demarkacionit po na kthejnë në varësi të Serbisë, duke i mundësuar vetes jetëgjatësi në pushtet, dhe manipuluar me popullin për liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Kuçi.

Thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ratifikim të kësaj marrëveshje i ka bërë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

KMDLNj mendon se duhet të votohet Demarkacioni pasi jemi para një akti të kryer dhe nuk kemi asnjë mundësi ta kthejmë procesin në pikën fillestare, në pikën zero./J.Zhuniqi/arbresh.info/

Të ngjashme