Shtohen paratë false në tregun e Kosovës

10:10 | 11 Nëntor 2023
K.B

Shtim masiv i parave false në tregun e Kosovës.

Kështu e përshkruajnë ekspertë të Agjencisë së Forenzikës praninë e monedhave dhe kartëmonedhave të falsifikuara në vend.

Vlera e tyre, thonë ata, është në rritje krahasuar me vitin e kaluar – aktualisht dhjetëra mijëra euro.

Nga janari deri në shtator të vitit 2023, në laboratorin e Agjencisë së Forenzikës u ekzaminuan mbi 35.000 monedha të falsifikuara dhe 2.209 kartëmonedha të falsifikuara.

Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ekspertët e forenzikës ekzaminuan 9.309 monedha të falsifikuara dhe 645 kartëmonedha.

Më të falsifikuarat, sipas tyre, janë monedha prej 2 eurosh dhe kartëmonedha prej 50 eurosh.

Feriz Selimaj, ekspert në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, thotë se cilësia e falsifikimeve varion nga më e dobët deri në shumë e mirë.

“Për ne si ekspertë nuk është vështirë të identifikohen [paratë false]. Është e thjeshtë. Në laborator kemi aparaturë të avancuar dhe identifikohen lehtë, por për një qytetar nuk është e lehtë të dallohet origjinali me falsin”, thotë Selimaj.

Kosova nuk është pjesë e Eurozonës, por përdor euron. Nga shtetet e tjera të rajonit, ashtu vepron edhe Mali i Zi.

Në korrik të këtij viti, REL-i raportoi për së paku dy raste të konfiskimit të mijëra eurove të falsifikuara në Kosovë, që vinin nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

Për raportimin e atëhershëm, REL-i bisedoi edhe me disa profile në aplikacionin TikTok, që konfirmuan se mund të sjellin para false në Kosovë, në çfarëdo shume që kërkohet, por nuk porositi për të mos kryer vepër penale.

Policia e Kosovës, atëkohë, nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse i ka hetuar profilet e tilla ose personat që pretendojnë se i menaxhojnë ato.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme