Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha ka marrë pjesë në Konferencën SHBA-Karta e Adriatikut.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se Berisha në këtë Konferencë ka ritheksuar se synim i Kosovës është anëtarësimi në iniciativat rajonale, me theks të veçantë anëtarësimi i plotë në A5.
“Rruga e Kosovës për të ardhmen është e qartë dhe integrimi në NATO është qëllimi ynë përfundimtar. Republika e Kosovës mbetet thellësisht e angazhuar dhe e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe një fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit. Konsiderojmë që ky bashkëpunim është jetik për të arritur paqe, stabilitet të qëndrueshëm dhe zhvillim të mëtejmë të kapaciteteve tona”, tha ai.
Ministri Berisha lidhur me pakënaqësitë e përfaqësuesve nga Serbia në këtë forum rreth prezencës së uniformës ushtarake të Kosovës, deklaroi: ,
“Ne si popull nuk duam t’i kthehemi gjuhës mesjetare të konflikteve, por do të flasim me gjuhen e integrimeve, gjuhën evropiane dhe gjuhën e një realiteti të ri në rajon, si interes i përbashkët për paqe dhe stabilitet’’.
Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës Rrustem Berisha gjatë qëndrimit të tij në Budva, Mali i Zi, ku mori pjesë në punimet e konferencës së ministrave të Mbrojtjes në kuadër të iniciativës SHBA – Karta e Adriatikut, zhvilloi takim dypalësh edhe me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Sllovenisë, Millosh Bizjak.
Ministri Berisha, pasi që e informoi Bizjak lidhur me procesin e tranzicionit dhe krijimin e infrastrukturës ligjore për kapacitetet e mbrojtëse të Republikës së Kosovës, vuri theksin te bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet dy shteteve edhe në të ardhmen.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes të Sllovenisë, Bizjak tha se sa i përket tranzicionit të FSK-së kjo është çështje e vendimmarrjes së institucioneve të Kosovës, duke shtuar se Sllovenia do të ofrojë mbështetje dhe bashkëpunim.
“Mendojmë se tranzicioni duhet të jetë një proces transparent, gradual si dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me mbështetjen e partnerëve tuaj. Ne do të ofrojmë ndihmë nga eksperienca jonë në procesin e krijimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe në atë të integrimit’’.
Vlen të ceket se gjatë punimeve të konferencës, shtetet anëtare të A5 deklaruan politikën e dyerve të hapura për anëtarësim në këtë iniciativë që ka për synim integrimin e vendeve të rajonit si e vetmja alternativë për stabilitet dhe siguri në rajon.
“Me gjuhën e unitetit, integritetit dhe stabiliteti në rajon u deklarua edhe Ndihmës Asistentja e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Laura Cooper, e cila bëri thirrje që edhe shtetet me status vëzhguesi sa më parë të bëhen anëtare të kësaj iniciative në shërbim të sigurisë dhe paqes rajonale dhe globale”, përfundohet në komunikatë.
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi