Nga gushti i vitit 2018 e deri në shtator të vitit 2021, kompania “RAD”, e regjistruar me dy adresa të ndryshme në Zveçan, në pronësi të biznesmenit serb, Radulle Steviq nga veriu i Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – ka fituar gjithsej 61 tenderë në vlerë prej 5.6 milionë eurosh. Këto projekte janë financuar nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.
Pronari i kompanive P.T.P. “RAD” dhe “RAD” D.O.O, Radulle Steviq është një ndër personat që u futën në listën e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, komunat në veri të Kosovës udhëhiqen nga kryetarë që vijnë nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, e cila u formua më 2013 me mbështetjen e Beogradit dhe presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kompanitë P.T.P. “RAD” dhe “RAD” D.O.O. që në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës figurojnë në emrin e Steviqit, kanë fituar tenderë nga institucionet e Kosovës për një sërë projektesh, duke filluar nga ato infrastrukturore në komunat në veri, ndërtimi i banesave sociale, i çerdheve, renovimi i shkollave, furnizimi me pajisje të teknologjisë informative, furnizimi me materiale ndërtimore, furnizimi me mobilie e deri te prodhimi i pajisjeve të trafikut dhe sinjalizimit.
Tenderi me shumën më të madhe që ka fituar Steviq është për rindërtimin e infrastrukturës rrugore të pjesës së rrugës “Kralja Petra I” në Mitrovicën e Veriut në vlerë prej 699,902 eurosh. Ky tender iu dha më 14 korrik të vitit 2020 nga Komuna e Mitrovicës së Veriut.
Më 17 qershor të vitit 2020, Steviq fitoi tender në vlerë prej 389,906 eurosh për ndërtimin e qendrës rinore në Zveçan, tender i dhënë nga Kuvendi Komunal i Zveçanit.
Për rikonstruktimin dhe zgjerimin e ndërtesës së administratës komunale në Leposaviq, njëra nga kompanitë e Steviqit fitoi tender në vlerë prej 345,702 eurosh. Këtë tender të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, kompania e Steviqit e kishte fituar më 23 gusht të vitit 2018.
Ndërkaq, më 7 maj të vitit 2018, Steviq kishte fituar tender në vlerë prej 329,965 eurosh për rindërtimin e trotuareve të rrugës “Ivo Lola Ribar” në Mitrovicën e Veriut, tender i ndarë nga kjo komunë.
Ndërkaq, për ndërtimin e sallës së sporteve në Mitrovicën e Veriut, kompania e Steviqit fitoi 325,351 euro. Ky tender iu dha nga Komuna e Mitrovicës së Veriut më 4 dhjetor të vitit 2018.
Steviq kishte fituar tenderin edhe për ndërtimin e stacionit të zjarrfikësve në Mitrovicën e Veriut në vlerë prej mbi 183,000 eurosh.
Përveç projekteve infrastrukturore, kompania e Steviq kishte marrë tender edhe për prokurimin e mobilieve për Komunën e Leposaviqit në vlerë prej 180,910 eurosh.
Ndërkaq, Komuna e Graçanicës zgjodhi kompaninë e Steviqit për ndërtimin edhe të banesave sociale, tender ky në vlerë prej 141,689 eurosh.
Përveç projekteve infrastrukturore, Steviq ka fituar tender edhe për prodhimin e kontejnerëve metalikë në Komunën e Leposaviqit në vlerë prej 55,900 eurosh.
Tenderi i fundit që Steviq ka fituar mban datën e 16 shtatorit të vitit 2021. Ai e fitoi këtë tender nga Kuvendi Komunal i Zveçanit në vlerë prej 46,830 eurosh për punimet shtesë në rindërtimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Zveçan.
Kë e sanksionoi SHBA-ja?
Të mërkurën, Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, që është në kuadër të Departamentit amerikan të Thesarit, publikoi një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.
Përveç Steviqit, në këtë listë janë përfshirë edhe Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq – të gjithë serbë nga Kosova.
Me futjen në listën e sanksioneve, pronat e të gjithë të sanksionuarve bllokohen dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet që të bashkëpunojnë me ta.
SHBA-ja tha se Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.
Sipas njoftimit, ky grup ka qenë i përfshirë në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.
Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “këto sanksione shënjestrojnë autorët e korrupsionit, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818”, i cili bazohet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur si Akti Magnitsky.
“Krimi i organizuar transnacional është destabilizues. Këto grupe shpesh bashkëpunojnë me zyrtarë publikë për të mbrojtur veten nga ndjekja penale dhe përgjegjësia”, tha Blinken./REL
IPK rekomandoi suspendimin e tre punonjësve të policisë
Kurti mirëpriti Kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik të...
Bislimi mirëpriti zëvendës shefen e misionit të ShBA-së në K...
Foda: Nëse duam të arrijmë vendin e parë në grup, duhet ta f...
Osmani priti në takim kryesuesin e KQZ-së Kreshnik Radoniqi,...
Në rastin ndaj Bahtijarit, Januzit dhe Shalës, shtohen gjash...