“Kjo shtëpi tani është e juaja deri sa të ktheheni në objektin tuaj shkollor. Unë tani nuk jam pronar i shtëpisë, por jam rojtar dhe kujdestar në shkollën tuaj”.
Këto ishin fjalët e Mehmet Aliut kur shtëpinë e tij të banimit e fali në shërbim të arsimit.
Vitet kaluan, nxënësit u kthyen në objektet e tyre shkollore, por shtëpia nuk u kthye te Mehmet Aliu. Shtëpia iu fal shtetit, si dëshmi e një rezistence shqiptare përmes arsimit.
E njohur si Kulla e Herticëve, objekti trekatësh, ndodhet në Kodrën e Trimave në Prishtinë, e muret dhe dyshemetë e shtëpisë bartin mbi vete një histori të veçantë.
Gjatë viteve 90, kur mësuesit dhe nxënësit shqiptarë nuk pranuan të mësonin sipas planprogrameve mësimore serbe, ata u dëbuan nga shkollat e tyre nga pushteti serb.
Ishte Halim Hyseni, atë kohë drejtor i Entit Pedagogjik të Kosovës, ai që insistoi që viti shkollor të mos mbetej në gjysmë por të vazhdonte të mbahej me çdo kusht. Ai hartoi një strategji për organizimin e mësimit në mënyra tjera, e këtë thotë se e bëri për ta shpëtuar arsimin shqip.
“Ka qenë një shpikje, me të cilën ne për herë të parë, më një qasje proaktive kemi dalë para Serbisë, sepse ne nuk kemi pas problem me Serbinë, Serbia ka pas problem me ne, kështu që e kemi shpëtuar një vit shkollor, se po të humbiste ai vit shkollor, sistemi i arsimit do të çrregullohej tërësisht dhe do të ishim të detyruar ta fillonim nga zeroja”, thotë Hyseni.
Meqë nuk kishin shkolla, shpresa u mbetej te shtëpitë private. E pikërisht Mehmet Aliu i Herticëve ishte ndër të parët shqiptarë që pa ngurrim ua dha shtëpinë nxënësve e mësimdhënësve. Madje, shtëpinë trekatëshe të sapo ndërtuar e mobiluar.
“U kërkua që të mbahej një mbledhje e arsimtarëve diku, dhe për herë të parë ua ofrova shtëpinë për mbledhje, që me vendosë diçka për shkollën, edhe kur u krye mbledhja, duke dalur, arsimtarët thanë: qenka e mirë për shkollë, edhe unë nuk e kisha atë ide, po iu thashë, a iu plotëson kushtet, ata thanë po, dhe aty, me pëlqimin e familjes së ngushtë, u konsultuam dhe morën qëndrim që t’ua japim shtëpinë për shkollë”, rrëfen Aliu për KosovaPress.
Prej asaj kohe, Aliu dhe familja e tij u bënë edhe roje të shkollës, duke mbrojtur nxënësit e mësimdhënësit.
Kështu, në këtë shkollë zuri vend gjimnazi “Sami Frashëri” i Prishtinës, të cilën e drejtonte Abdyl Gashi. Gashi rrëfen për vështirësitë që patën hasur atë kohë, teksa i duken sikur pjesë të imagjinatës.
“Nuk kishim dërrasa të zeza, nuk kishim shkumësa, nuk kishim fletore, nuk kishim dokumentacion pedagogjik, me një fjalë s’kishim asgjë. Edhe personeli arsimor ishte pak a shumë i shkapaderdhur dhe ne duhej ta përballonim që të mos humbte viti shkollor 91/92, se veç kishte kaluar gjysmëvjetori, por tash, në kontakt edhe me kolegët e atëhershëm na duket si imagjinatë, jo reale, ajo që u realizua”, thotë Gashi.
Në një kohë të pazakonshme shkollat mundoheshin të funksiononin si të zakonshme. Mësimdhënësi Sahit Elshani tregon për KosovaPress, se aktivitetet jashtë kurrikulare nuk mungonin, përkundër vështirësive.
“Nxënësit kanë qenë të organizuar shumë. Ka qenë redaksia e Feniksit, një gazetë që e bënin vetë nxënësit, ka qenë grupi i dramës, kanë pasur revistën ‘Matematikanët e rinj’, kemi organizuar krose vjeshtore e pranverore, sporte të ndryshme, kanë marrë pjesë nxënësit tanë nëpër aktivitete të ndryshme sportive në kuadër të komunës, grupi i dramës e pati shfaqur dramën që ishte shumë aktuale ‘A vritet shkolla’”, tregon Elshani.
Historinë e arsimit paralel të viteve 90 e përmblodhi në një libër autori, Bajram Shatri, në mënyrë që historia e kësaj periudhe të jashtëzakonshme e arsimit të mos shuhej.
“Motivi i shkrimit të kësaj historie të arsimit ishte që të mos i lëmë në harresë gjithë ato vuajtje dhe ato peripeci të mësimdhënësve, të nxënësve e kryefamiljarëve, që kanë dhënë kontribut për arsimin shqip, për mbijetesën e arsimit shqip, për shembull ata prindërit në Istog kanë vdekur duke e mbrojtur shkollën shqipe”, tregon Shatri.
Pavarësisht se kjo periudhë përbën një histori të rëndësishme të rezistencës së arsimit shqip, shtëpitë që shërbyen si shkolla, por edhe vetë pronarët, nuk po e gëzojnë mbështetjen e duhur nga shteti.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, thotë për KosovaPress, se do ta shtyjnë para Ligjin për Arsimin e viteve 90’, dhe premton që së paku në të ardhmen t’i nderojnë me mirënjohje kontribuesit.
“I takon librave të historisë që të përfshihen si pjesë e rëndësishme e arsimit shqip dhe meqë tash jemi në fazën e teksteve të reja, edhe kjo pjesë do ta zë një pjesë të rëndësishme të historisë”, thotë Bytyqi.
Edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka një premtim për këto objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.
“Gjatë vitit 2019, në tremujorin e parë kemi planifikuar një projekt të ri për vendosjen e nga një pllake për secilën nga këto objekte që kanë shërbyer si shkolla dhe po ashtu nga një dokument falënderimi, nga një mirënjohje për të gjithë pronarët që i kanë lëshuar shtëpitë në atë kohë”, thotë Gashi.
Por me kalimin e viteve, janë shtuar edhe premtimet e institucioneve për të rregulluar çështjen e shtëpive shkolla, mirëpo, deri tani, nuk kanë gëzuar përkrahjen e nevojshme.
Gjatë vitit që lamë pas, komuna e Prishtinës ka premtuar se shtëpia e Herticëve do të bëhet muze, e për këtë mbetet të shihet.
Përndryshe, konsiderohet se gjatë viteve 90, që njihet edhe si periudhë e arsimit paralel, rreth 3200 shtëpi e lokale private u bënë vatra të arsimimit për mijëra nxënës në Kosovë.
Dianës i vjen motra në shtëpi, i thotë të dal nga shtëpia se...
Sjelljet e Xhenetës në shtëpi – Vëllai i Madh e çon automati...
Nesër Forumi i Rinisë i LDK-së dorëzon kallëzim penal në Pro...
Pllaka më e vjetër prej guri e mbishkruar me Urdhërimet e Bi...
Muriqi: I ka munguar Kosovës një lojtar si Jashari
Countryman: Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është kyç