Strehimoret duhet të jenë në vijën buxhetore të shtetit, pasi që subvencionet të cilat ndahen për to janë tejet të vogla dhe nuk mund të mbulojnë shpenzimet për viktimat që strehohen aty, kanë thënë aktivistet e të drejtave të grave të cilat merren me këtë çështje.
Në vitin 2018, organizatat që merren me mbrojtjen e grave dhe fëmijëve që janë viktima të dhunës kanë dhënë alarmin se këto qendra rrezikojnë të mbyllen si pasojë e mungesës së fondeve.
Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Hulumtime dhe Studime Gjinore, tha se kujdesi dhe financimi i këtyre qendrave nga buxheti i shtetit ndikon në parandalimin e dhunës në familje.
“Strehimoret nuk është që shteti po i merr përsipër, pasi nuk ka strehimore vetë, duhet të angazhohet pak më shumë për një buxhetim më dinjitoz edhe me shumë prioritet, sepse janë me rëndësi edhe për parandalim të dhunës në familje por edhe për të gjetur kushte edhe për viktimat e dhunës në familje. Sepse nëse për çdo vit ne dalim dhe kërkojmë që të buxhetohet për strehimoret atëherë edhe parandalimi i dhunës në familje nuk ndodh pasi ne nuk mundemi ta themi publikisht se viktima ka ku të shkojë nëse i ndodhë dhuna në familje”, tha Demolli.
Gjithashtu edhe Luljeta Aliu, drejtoreshë në organizatën joqeveritare Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, tha për Radion Evropa e Lirë se strehimoret në Kosovë kanë pasur një shumë të parave tejet të vogël e cila nuk mund të mbulojë kujdesin për viktimat që strehohen në këto strehimore.
“Strehimoret kanë pasur diku deri më tani përafërsisht 20 mijë euro në vit si lloj subvencioni, mirëpo kur e shohim numrin e grave të cilat kërkojnë strehim aty dhe shumën e alokuar për strehimoret në fakt na del se diku për kokë të grave janë ndarë 4 apo 5 euro në ditë, që është një shumë krahasimisht shumë më e vogël sesa shuma e cila kushton për kryerësin e dhunës i cili dërgohet në burg,” tha Aliu.
Disa aktiviste që merren me të drejtat e njeriut kanë mbledhur rroba, aksesorë punëdore dhe ushqim, të cilat i kanë shitur me çmime simbolike në mënyrë që të ngrijnë fonde për strehimoret që strehojnë gra dhe fëmijë.
Aktivistja Agnesa Qerimi, ka mbushur një valixhe me rroba të ndryshme mëngjesin e së dielës dhe i ka dërguar në qendrën Termokiss në lagjen Dardania të Prishtinës. Ajo i ka shitur rrobat me çmim prej 2 eurosh për secilën.
“Të gjithë i dimë kushtet e strehimoreve tona dhe në çfarë vështirësi të mëdha kalojnë gratë dhe fëmijët të cilët janë të strehuar aty dhe për këtë arsye ne kemi vendosur që së bashku me Termokissin këtë flea market t’ja dedikojmë fillimisht për nder të 8 marsit, një lloj proteste dhe të thërrasim qoftë organet kompetente qoftë njerëzit të kontribojnë për strehimoret sepse kanë nevojë”, tha Qerimi.
Termokissi është qendër kulturore e cila është hapur në vitin 2016, nga një grup i të rinjve të cilët kanë transformuar një objekt në qendër kulturore, i cili është ndërtuar në vitin 1997 nga kompania e ngrohjes Termokos e që më pas është lënë anash.
Njëra nga pjesëtaret e Termokissit, Erleta Morina thotë për Radion Evropa e Lirë se qendra e Termokissit edhe në të ardhmen do të përdoret për çështje bamirëse.
“Sot kauza mbrapa pazarit është më ndryshe sepse kemi vendosur që të hollat që mblidhen nga ky pazar të shkojnë për strehimoret e grave dhe fëmijëve në Kosovë dhe ideja ka qenë e disa anëtarëve të komunitetit dhe aktivisteve të ndryshme sepse duke parë problemin me fonde për strehimore sidomos gjatë vitit 2019, kanë vendosur që të bëjnë diçka për këtë gjë”, ka thënë Morina.
Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë 9 strehimore për viktimat e dhunës, të cilat janë të licencuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
SHBA do të rrisë prodhimin e raketave
Barcelona mbetet sërish pa Torresin
Kushtetuesja shtyn për janar shqyrtimin e kërkesës së ish-kr...
“Mua më pëlqen është çikë e mirë”, Driloni flet me Rovenën p...
Rama vijon traditën, ndan medalje ari për 188 nxënësit eksel...
Izraeli konfirmon për herë të parë vrasjen e liderit të Hama...