Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë Dr.Ibrahim Rugova”, është objekti në të cilin janë të arkivuara aktivitetet e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, gjatë rrugëtimit 10 vjeçar deri në arritjen e Pavarësisë së Kosovës.
Historiani, Bekim Gashi për “Arbresh.info” tregon se kjo shtëpi është emëruar nga vetë presidenti Rugova, ndërsa në vitin 2007 e merr emrin “Ibrahim Rugova” nga presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu.
Muzeu fillon nga zyra personale e ish-Presidentit, historik, në të cilën paraqitet kronologjikisht historia e kombit shqiptar para 28 nëntorit të vitit 1912 dhe atë të Kosovës pas kësaj date.
“Kjo është zyra e Presidentit ku ka qenë si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, si kryetar i LDK-së dhe si president kur zgjidhet për herë të parë më 24 maj 1992 dhe kjo është madhështia e saj sepse kjo ka qenë zyra e tij personale dhe unë në të shumtën e rasteve e quaj edhe dhoma ovale e presidentit sepse në atë kohë kjo ka qenë edhe Shtëpia e Bardhë për qytetarët e Kosovës sepse këtu ka qenë shpresa e tyre”, thotë historiani Gashi.
Pikërisht në “Dhomën ovale” të presidentit janë të ekspozuara edhe pjesë të propagandës serbe.
“Presidenti Rogova për 10 vjet rresht për çdo të premte ka mbajtur takime me gazetarët me kryetarët e degëve dhe njëkohësisht e ka shfrytëzuar edhe si vendtakim me diplomatët të cilët e vizitonin Kosovën gjatë asaj kohe. Këtu në mënyrë kronologjike është historia 10 vjeçare nga viti 1989 ku Ibrahim Rugova është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve deri në përfundimin e luftës dhe kthimin e qytetarëve në vendin e vet”, thotë ai.
Sipas Gashit, takimi më i rëndësishëm i presidentit Rugova ishte me ish-ambasadorit amerikan Warrën Zimmermann, i cili në atë kohë ishte ambasador në Beograd në vitin 1991.
Sipas Gashit, ka shumë qytetarë të cilët nuk dinë për ekzistencën e këtij objekti.
Megjithatë, ai vlerëson se ka të interesuar, sidomos nga mërgata, duke mos përjashtuar këtu edhe faktorin ndërkombëtar.
Sipas historianit, ka raste kur ambasadorët ende pa u akredituar nga Presidentja, vijnë dhe e vizitojnë këtë muze.
Vizitorët që vijnë në këtë muze, sipas tij, interesohen për periudhën të cilën ata e kanë përjetuar.
“Këtu kemi për shembull rastin e pajtimit të gjaqeve ku shumë prej vizitorëve u intereson, periudha e profesor Anton Çetës i cili kishte bërë një përpjekje të jashtëzakonshme, apo një luftë të jashtëzakonshme, ku kishte bërë pajtimin e 3 mijë gjaqeve. Po ashtu është e rëndësishme për një pjesë të gjeneratës së asaj kohe të cilët kanë qenë gjimnazistë është koha e helmimeve nëpër shkolla, marrja e të vetmit televizion në atë kohë, mbyllja e të vetmit televizion RTP-së sot RTK-ja që bëhet nga forcat serbe, por interesimi i njerëzve, sidomos për vitet e 90-ta, kohën në të cilën Kosova e shpall për herë të parë Republikën e Kosovës më 2 korrik të vitit 1990 dhe aktin më të lartë juridik të cilin e kemi 2 muaj më vonë, Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator,” shprehet ai.
Ai thotë se për nder të këtyre zgjedhjeve, datën 24 maj, presidenti Rugova, pas luftës e ka lënë në listën e festave zyrtare si Dita e Presidentit.
Por, cili ishte pozicioni i presidentit gjatë luftës së UÇK-së?
“Ibrahim Rugova në vitin 1991, vitin pasi e kishte marrë pozitën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kishte dërguar njeriun e vet në Shqipëri, profesor Ali Aliu, i cili ishte anëtar i kryesisë në atë kohë për një marrëveshje me presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alija të asaj kohe ku kishin arritur një marrëveshje verbale mes tij dhe ish-presidentit të Shqipërisë për rekrutimin e të rinjve në Kosovë, që të shkonin të rinjtë e Kosovës për rekrutim që të jenë të gatshëm për luftë.”
Daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare do t’i paraprinte protesta e studentëve më 1 tetor për lirimit të objekteve të tyre shkollore, të cilat gjatë viteve të 90-ta ishin mbyllur.
“Këto janë ngjarjet të cilat edhe në një farë mënyre deri më 24 mars të vitit 1999 kur edhe NATO-ja fillon bombardimin e caqeve serbe e cila për tre muaj rresht deri në fillim të qershorit ku Serbia kapitullon dhe qytetarët e Kosovës fillojnë të kthehen në vendin e vet. Por gjatë atij tre mujorshi e kemi edhe në mënyrë simbolike gurin e kufirit shqiptaro-shqiptar i cili në betejën e Kosharës, pas tri ditë lufte rresht, merret nën kontroll nga forcat e Ushtrisë Çlirimatre të Kosovës dhe thyhet kufiri shqiptaro-shqiptar për herë të parë pas vitit 1939 ku tashmë mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ekzistonte një kufi ndarës.”
Muzeu është një arkiv edhe e krimeve të luftës së Serbisë në Kosovë.
Ndërkaq, në pjesën e cila ka shërbyer si byfe, është e paraqitur historia e pasluftës.
“Këtu e kemi historinë e pasluftës nga administrata e UNMIK-ut, kalimi nga UÇK-ja në TMK, zgjedhjet e vitit 2001 ku tashmë janë të njohura ndërkombëtarisht dhe presidenti zgjidhet president edhe i njohur ndërkombëtarisht, trazirat e vitit 2004 dhe negociatat e Vjenës të cilat i kishte filluar vetë presidenti Ibrahim Rugova për statutin e Kosovës si dhe plani i Ahtsaarit i cili e sjell pakon për Pavarësinë e Kosovës. Po ashtu e kemi edhe vdekjen e presidentit më 21 janar të vitit 2006 ku për 5 ditë rresht kishte kolona të gjata të qytetarëve po i jepnin lamtumirën e fundit presidentit të tyre historik dhe këtu e kemi edhe shpalljen e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës”, tregon Gashi.
Pjesë e këtij muzeu ka qenë edhe Qendra për Informim e udhëhequr nga Enver Maloku.
“Këtu i kemi figurat diplomatike më të rëndësishme të shteteve më të rëndësishme mike dhe miqtë e presidentit të Kosovës, këtu e kemi edhe presidentin aktual Biden i cili në atë kohë ishte mik i madh i presidentit Rugova por në atë kohë ishte presidenti Biden ishte vetëm kongresmen.” , u shpreh ai.
Ky muze është objekti i dytë, i cili digjet nga forcat serbe pas zyrës amerikane në Arbëri, ish-Dragodan.
“Më 24 mars kur bombardohen caqet serbe nga NATO-ja, serbët si kundërpërgjigje ndaj NATO-s, atë natë e djegin zyrën amerikane në Arbëri, ish-Dragodani, ndërsa të nesërmen vijnë e djegin këtë objekt.”, thotë Gashi./Arbresh.info/Erolinda Gashi/
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale