Shtëpia e braktisur në hyrje të fshatit Bradash të Komunës së Podujevës po u ngjall frikën banorëve të këtij fshati. Disa prej banorëve po thonë se nga ajo shtëpi janë dëgjuar zëra gjatë natës. Për këtë arsye, ata edhe nuk guxojnë që ta frekuentojnë shpesh këtë rrugë sapo të bie terri. Por, në Komunën e Podujevës e mohojnë një gjë të tillë dhe thonë se këto janë vetëm fjalë. Ekipi i Gazetës Express ka vizituar sot këtë shtëpi dhe u sjell rrëfimet e banorëve.
Enisi nga Bradashi i Podujevës me vrap e kalon rrugën që shpie për në fshatin ku jeton. Shtëpia e braktisur që gjendet në hyrje të këtij fshati, 9 vjeçarit nga Podujeva, i ngjall frikën çdo ditë. Madje, sapo fillon të errësohet ai thotë se nuk guxon të kalojë fare nga ajo pjesë. E githë kjo ngase në fshat flitet se nga ajo shtëpi dëgjohen zëra.
“Sa herë që më bjen me kalu kah shpija te bunari, gjithë vrapoj. Shokët më kanë tregu që ma herët aty janë dëgju zana, edhe prej asaj dite tutna me kalu andej. Natën nuk dal kurrë andej”, ka treguar Enisi për Gazetën Express.
E se në këtë shtëpi janë dëgjuar zëra më parë, këtë e thonë edhe disa prej banorëve ndonëse kanë dashur që të mbesin anonim. Ata thonë se nga kjo shtëpi zërat janë dëgjuar gjatë natës.
Madje, thonë se deri vonë kanë qenë të rrallë banorët që kanë guxuar të enden asaj rrugë pa veturë.
“Natën banorët kanë ni zana, edhe masnej u tutshin s’guxojshin kurrë me kalu në kambë. Edhe fëmijët u tutshin shumë. Kërkush s’ka guxoftë me hi mrena saj”, i kanë thënë banorët Gazetës Express.
Por, ndryshe thonë banorët e tjerë.
Fadil Gashi rreth të 60-ave thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, dhe se nuk kanë dëgjuar asnjëherë zëra.
Gashi i ka thënë Gazetës Express se e gjithë kjo filloi kur një plak i këtij fshati kishte thënë se kishte dëgjuar britma nga kjo shtëpi. Prej asaj dite, lajmi ishte përhapur në tërë fshatin, e disa e besojnë këtë edhe sot e kësaj dite.
“Kurgju sen ska pas. Po veç ka qenë një plak, tash ka dek e veç ia futke kot se nuk ka dëgju kurrë kurgju. Ai e ka pas shtëpinë poshtë qasaj e veç kur ka kalu andej thojke që e ka dëgju bërtima”, shpjegon Gashi.
E deri të arsyeja se pse u përhapën këto fjalë, Gashi thotë se erdhi pasi që pronari mori vendim që ta shiste tokën. Gjersa, tregon se nipërit e mbesat e tij edhe luajnë brenda asaj shtëpie, por se deri tani nuk kanë dëgjuar asnjë zë.
“Fëmija e jonë qaty enden, bile edhe luajnë në atë shtëpi po nuk kanë dëgju hala asnjë zë aty”, ka thënë ai.
Njëjtë thotë edhe banorja tjetër e këtij fshati, Valbona Gashi. Ajo i ka thënë Gazetës Express se një gjë e tillë është gënjeshtër.
Madje, Valbona thotë se për t’i verifikuar fjalët e banorëve të fshatit, aty kanë qenë edhe disa të huaj. Deklaron se edhe pse kanë qëndruar 24 orë brenda asaj shtëpie nuk kanë dëgjuar asnjë zë. Gashi thotë se pronari e ka lënë shtëpinë në këtë gjendje, për kushte më të mira.
“Është rrenë. Nuk është e mundshme. Kanë qenë të jashtit për me verifiku edhe kanë ndejtë 24 orë aty, por nuk kanë dëgju kurgju. Edhe unë vet rrijë aty e pres taksi, por kurrë nuk kam dëgju ndonjë zhurmë prej aty”, tregon Valbona për Express.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe me zyrtarë nga Komuna e Podujevës për të marrë vesh nëse banorët janë ankuar për këtë objekt, por në komunë thonë se nuk kanë pasur ndonjë ankesë.
Zëdhënësi i Komunës së Podujëvës, Nazmi Elezi i ka thënë Gazetës Express se nuk është e vërtetë se në këtë shtëpi dëgjohen zërat, por vetëm flitet.
“Banorët nuk ankohen sepse aty është udhëkryq edhe njerëzit lëvizin pa ndonjë problem”, ka thënë Elezi.
Njejtë sikurse Elezi shprehet edhe zyrtari tjetër përgjegjës për fshatrat e kësaj komune, Latif Mehmeti.
Mehmeti i ka thënë Gazetës Express se banorët thonë se shtëpia është e ndërtuar mbi bunarin e fshatit dhe se për këtë arsye dëgjohen zëra, por thotë se këto janë vetëm fjalë.
“Ka fjalë se aty për shkak që shtëpia është e ndërtuar mbi një bunar, edhe që ma herët për qata janë dëgjuar zëra, por kjo nuk është e vërtetë. Prej aty nuk del asnjë zë”, ka thënë ai.
Sa i përket asaj që deklarojnë banorët se të huajt kanë qëndruar në këtë shtëpi 24 orë për të verfikuar pohimet e banorëve, Mehmeti dhe Elezi thonë se nuk janë në dijeni për një gjë të tillë.
E hapësira që e rrethon këtë shtëpi është e mbuluar e tëra me bari dhe vështirë kalohet në të. Por, brenda shtëpisë shihen grafite që dëshmon se banorët më herët kanë hyrë brenda saj.
Ndërsa sipas asaj që shihet në dhomat e kësaj shtëpie, tash ky objekt iu shërben për strehë vetëm qenëve të fshatit.
Express ka provuar të kontaktojë edhe me vet pronarin e kësaj shtëpie për të ditur se pse ai e ka lënë në gjysmë ndërtimin e kësaj shtëpie dhe për legjendën që thuhet për këtë shtëpi, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...