Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby tha të martën se Serbia ka filluar tërheqjen e forcave serbe përgjatë kufirit me Kosovën.
“Që kur deklaruam publikisht se kishim parë forcat serbe përgjatë kufirit, i kemi parë se kanë filluar t’i tërheqin ato forca nga aty. Kjo është diçka pozitive, do të ndihmojë për të shtensionuar situatën. Nuk do t’i eliminojë tensionet, por do ta zbusë situatën,” u tha Kirby gazetarëve në Uashington.
Reagimi nga Uashingtoni për tërheqjen e forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen disa ditë pasi Shtetet e Bashkuara pasi shprehën shqetësimin për një grumbullim të madh ushtarak nga Serbia përgjatë kufirit me Kosovën, që sipas tyre përfshinte artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara.
Shtetet e Bashkuara e quajtën këtë grumbullim “të pashembullt” dhe i bënë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën.
Kirby tha se Shtetet e Bashkuara nuk planifikojnë të shtojnë numrin e trupave paqëruajtëse amerikane në KFOR, ndërkohë që NATO-ja ka paralajmëruar se do të rrisë numrin e trupave në kuadër të misionit të saj në Kosovë pas sulmit të grupit të armatosur serb në pjesën veriore të vendit më 24 shtator, ndaj policisë së Kosovës, duke vrarë një oficer policie.
Ish nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç mori përsipër këtë sulm në fshatin Banjskë në pjesën veriore të Kosovës, ndërkohë që të martën Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se ka arrestuar atë.
Ndërkohë në një intervistë për agjencinë shtetërore serbe të lajmeve Tanjug, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill tha se tërheqja e trupave ushtarake serbe nga kufiri me Kosovën dhe arrestimi i Milan Radoiçiçit, janë “hapa pozitiv” dhe se “është në interes të Uashingtonit që të gjendet një zgjidhje politike për situatën në Kosovë”.
“Nuk ka dyshime që ndodhi një tërheqje e një numri të vogël trupash dhe se, në këtë kuptim, gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Mund të them se kemi dëshmi për një ulje të numrit të trupavr. Problemi nuk është ushtarak, por është politik”, tha ambasadori Hill./VOA
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik
Ancelotti: Jemi rikthyer, pas humbjes ndaj Milanit, folëm dh...
Kurti e Nagavci lansojnë nesër pilotimin e Programit të Kupo...
Policia e Kosovës sekuestron armë të ftohta në tregun e auto...
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...