Shtëpia e Bardhë tha se mirëpret takimin mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien nënvizoi rëndësinë e bisedimeve për të çuar përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington të enjten dhe të premten do të përqendrohen tek çështjet ekonomike dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret apo paragjykim për zgjidhjen politike. Në prag të takimit një këshilltar i posaçëm i Presidentit Donald Trump tha për gazetarët se SHBA synojnë të çojnë përpara bashkëpunimin ekonomik që të përfitojnë qytetarët dhe që të shërbejë si bazë për zgjidhjen politike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Keida Kostreci ka biseduar me analistë, të cilët bien dakord për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, por theksojnë se synimi përfundimtar duhet të jetë një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe normalizim marrëdhëniesh:
Shtëpia e Bardhë tha se mirëpret takimin mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Përmes një komenti të mërkurën në Twitter, Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien nënvizoi rëndësinë e bisedimeve:
“Mirëpres mbërritjen e Presidentit Vuçiç dhe të Kryeministrit Avdullah Hoti nesër në Shtëpinë e Bardhë. Këto diskutime të rëndësishme do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Angazhimi i dy udhëheqësve për dialog do të sjellë përfitime si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën,” tha zoti O’Brien.
Të martën, një zyrtar amerikan, i identifikuar nga Shtëpia e Bardhë si Këshilltar i Posaçëm i Presidentit Trump, në një audiokonferencë me gazetarët, tha se është e qartë për këdo, seaspekti politik, siç u shpreh ai, “ka ngecur, po flitet gjithmonë për të njëjtat çështje, pa ndonjë përparim”.
Ai tha se Shtëpia e Bardhë synon ta përmbysë skenarin e deritanishëm për të pare nëse “zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë, mund të ndryshojë dinamikën”.
Këshilltari tha se bisedimet e kësaj jave do të përpiqen të çojnë më përpara marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor, të cilat ai i quajti “historike”.
Dr. Majda Ruge, eksperte e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, i tha Zërit të Amerikës nga Berlini se nuk parashikon ndonjë arritje tjetër në takim përveç rikonfirmimit të këtyre marrëveshjeve.
“Asnjëra nga palët – për arsye të ndryshme – nuk është gati të arrijë një marrëveshje siç pamë në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.”
Zëvendës presidenti ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut në Uashington, Damon Wilson i tha Zërit të Amerikës se është e rëndësishme që bisedimet këtë javë po përqendrohen tek përfitimet për qytetarët:
“Përqendrimi në hapa pragmatikë dhe ekonomikë, vendos qytetarët e zakonshëm në plan të parë.Në fund të fundit ky dialog është është për të përmirësuar jetët e njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi”, thotë zoti Wilson.
Këshilltari i Presidentit Trump tha se Shtëpia e Bardhë nuk ka asnjë paragjykim për çfarëdo zgjidhje për të cilën do të bien dakord palët.
Ai i mohoi sërish zërat, siç u shpreh ai, “se ekziston një plan sekret” për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse shtoi se u takon palëve të vendosin se sa duan të përparojnë në bisedimet e kësaj jave.
Pala amerikane, tha ai, është e hapur për të trajtuar çdo temë, duke lënë të kuptohet se nëse palët janë të gatshme për të diskutuar çështje përtej atyre ekonomike, ato mund ta bëjnë këtë.
“Është në dorë të palëve nëse duan apo jo të ecin përpara dhe çfarëdo që të ketë thënë media, Shtetet e Bashkuara nuk kanë një plan sekret, nuk do të kërkojnë diçka”, duke shtuar se “palët duhet të jenë në gjendje të shënojnë përparim, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë t’i përdorin këto mekanizma në mënyrë të fuqishme”.
Zoti Wilson, tërhoqi vëmendjen se megjithëse përparimi i dialogut për çështjet ekonomike është i rëndësishëm, çështja politike nuk mund të lihet pas dore.
Damon Wilson
“Ajo për të cilën po flasim është një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që të sjellë normalizim. Pas një procesi 20 vjeçar, nuk mund të merremi me hapa të vegjël, nëse nuk i shërbejnë një nxitjeje për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Këshilltari i Posaçëm tha se ai nuk ka marrë asnjëherë pjesë në ndonjë bisedë për shkëmbim territoresh. Në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës, nëse parashikon se sa kohë do duhet që procesi ekonomik të gërshetohet me atë politik, ai tha se nuk donte të bënte parashikime.
Kosova ka kërkuar me këmbëngulje që Shtetet e Bashkuara të jenë të angazhuara në çështjen e dialogut mes dy vendeve, por Dr. Ruge nuk mendon se zgjidhja do të jetë e shpejtë për disa arësye.
“Së pari kemi pasigurinë lidhur me zgjedhjet amerikane dhe nëse ata që do të drejtojnë takimin do të jenë në ato poste pas nëntorit, kemi njerëz të rinj në Bruksel që kanë hequr dorë nga qëndrimi që kishte (Federica) Mogherini që mbështeste shkëmbimin e terrioreve si mënyrë për ta bërë Serbinë të njihte Kosovën dhe kemi gjithashtu një politikë të brendshme të paqendrueshme në Kosovë”.
Zoti Wilson megjithëse është dakord që ka shumë pasiguri për momentin, përfshirë faktin e zgjedhjeve të 3 nëntorit, shpreson që synimet për interesat amerikane në rajonin e Ballkanit të jenë dypartiake.
Wilson
“Përparimi në Ballkanin Perëndimor është në interes të Shteteve të Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara do të luajnë rolin e vet mbështetës për të ndihmuar palët që të arrijnë marrëveshje mes njëra-tjetrës dhe të mbështesin
Bashkimin Evropian në përpjekjet e tij”, thotë ai.
Këshilltari i Posaçëm tha se Shtëpia e Bardhë po i koordinon gjithë përpjekjet me Bashkimin Evropian.
Tahiri i AAK-së liston “dështimet” e Qeverisë Kurti
Në Spitalin e Traumës trajtohet me sukses kanceri i kokës së...
Franca akuzon Izraelin për shkeljen e armëpushimit në Liban
Orav përsërit thirrjen e Borrellit për sulmin terrorist në I...
Kurti largohet nga Qeveria pas takimit me ambasadorët
Sulmi në Ibër-Lepenc, Hovenier: Mbështesim autoritetet kosov...