Shtatë të kthyerit nga Siria dërgohen në ndalim policor

13:46 | 19 Korrik 2021
arbresh.info

Gjashtë burra dhe një grua, që të shtunën u kthyen nga Siria në Kosovë, po mbahen në ndalim policor prej 48 orësh, njoftoi Ministria e Brendshme e Kosovës.

Në mesin e 11 të kthyerve nga zonat e konfliktit në Siri, janë edhe katër fëmijë. Ky aksion, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bë me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për media, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se aksioni për kthimin e këtyre qytetarëve është përgatitur tash e disa muaj.

“Ekipet mjekësore kanë konstatuar se tre nga këta persona kanë nevojë për trajtim të mëtutjeshëm shëndetësor. Të gjithë personat madhorë i janë nënshtruar aktvendimit për ndalim policor prej 48 orë dhe këta do të paraqiten para gjykatës për t’u proceduar më tutje”, tha ai.

Ndërkaq, ministri Sveçla i cili është edhe koordinator Nacional për Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, tha se tani Kosova duhet të merret me rehabilitimin e të kthyerve nga Siria.

Sveçla theksoi se “të gjithë personat që kanë marrë pjesë në luftime në zonat e konfliktit, kanë kryer krime apo kanë qenë të përfshirë në çfarëdo kapaciteti në organizata terroriste do të dalin para drejtësisë”.

Sipas të dhënave të fundit nga Policia e Kosovës dhënë Radios Evropa e Lirë, numri total i të kthyerve është 253, ndërsa në zonën e konfliktit janë edhe 82 persona, prej të cilëve 35 burra, tetë gra dhe 39 fëmijë.

Kosova është bërë pjesë e këtij Koalicionit Global për mposhtjen e grupit militant, Shteti Islamik (IS) qysh në vitin 2014.

Grupi militant Shteti Islamik, i cili në një kohë ka pushtuar territore në Siri dhe Irak, është deklaruar i mposhtur në vitin 2019, por mijëra shtetas të huaj që kanë luftuar përkrah tij, si dhe familjarë të tyre, kanë mbetur në zona të luftës.

Që nga shpërthimi i konfliktit në Siri dhe Irak, në vitin 2011, rreth 400 kosovarë kanë udhëtuar drejt këtyre vendeve.

Në muajin prill të vitit 2019, institucionet e Kosovës, të ndihmuar nga autoritetet amerikane, riatdhesuan një grup prej 110 kosovarësh, duke përfshirë katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë./rel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme