Shtatë të infektuar me koronavirus në gjendje të rëndë

16:36 | 27 Mars 2020
Arbresh.info

Në Klinikën Infektive në QKUK,  momentalisht janë të shtrirë 32 persona të prekur me COVID-19, ndërsa 7 prej tyre janë në gjendje më të rënduar, ndërsa të tjerët janë në gjendje stabile. Të tjerët ndodhën në izolim shtëpiak, dhe përkundër se kanë rezultuar pozitiv nuk kanë manifestime klinike të sëmundjes.

Gjatë ditës pritet të dalin rezultatet për dhjetë persona të tjerë, për të cilët dyshohet se janë të infektuar me këtë virus.

Kështu thotë infektologu Salih Ahmeti, i cili tregon për gjendjen e personave të prekur nga ky virus.

“32 i kemi të shtrirë aktualisht, gjendja shëndetësore e tyre është stabile. Shtatë prej tyre e kanë një gjendje më të rënduar, por megjithatë të menaxhuar dh e pa përkeqësime evidente të tyre…Deri më tani i kemi dhjetë, ndërkohë nëse ka ndonjë rast të dyshuar, numri i tyre mund të shtohet…(03:13) Gjithë këta persona nuk kanë manifestime klinike të sëmundjes, përkundër faktit që kanë rezultuar pozitiv, këta janë në vetë izolim shtëpiak, iu janë dhënë rekomandime të qarta të cilat ata duhet t’i përfillin gjatë kësaj periudhe dyjavore. Unë besoj që ata janë duke i përfillur, ne në disa raste dhe Instituti Kombëtar është në kontakte të përhershme bashkë me qendrat regjionale, dhe unë besoj që ata pas dy jave do të jenë persona të shëruar”, thotë ai.

Ahmeti shpreh shqetësimin se rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik nuk po respektohen sa duhet nga qytetarët. Mosrespektimi i këtyre masave, sipas tij do të rezultojë me shtim të rasteve.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, 86 persona, ndërsa ditë më parë është shënuar viktima e parë me COVID-19.

Qeveria e Kosovës deri më tani ka marrë disa masa për parandalimin e kësaj pandemie, ndër to edhe vendimin për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10:00 deri në ora 16:00 pasdite. Në vendimin që u mor të hënën, thuhet se nga ora 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes, gjithashtu nuk mund të dilet.

 

Të ngjashme