Hapja e bizneseve shqiptare në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicën Veriore, deri para një viti ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur.
Ky shesh, i cili gjendet në Mitrovicën Veriore, është kryesisht i banuar me qytetarë serbë që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë.
Për 25 vjet shpesh herë ka qenë në fokus të konflikteve dhe mosmarrëveshjeve duke e ndërlikuar kështu jetën e qytetarëve shqiptarë në këtë pjesë të vendit.
Mirëpo, tashmë çdo gjë ka ndryshuar në këtë pjesë të vendit, në të mirë të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe serbëve.
Disa lokale në këtë vend që dikur ishin përdorur nga serbët, tash janë nën zotërimin e shqiptarëve.
Posta e Kosovës, dyqane, kafiteri, furra, markete, e lokale të ndryshme që gjenden në mbarë Kosovën, tashmë janë hapur edhe në veri të Mitrovicës.
Këtë më së miri e tregon edhe Ergyn Abazxhiku, punëtor në një qebaptoren “Sarajeva” këtu në veri.
Lokali ku ai punon, ndodhet pranë urës së Ibrit dhe është hapur tash e nëntë muaj.
Abazxhiku për Arbresh.info tregon se deri tani nuk kanë pasur asnjë kërcënim ose provokim nga ana e serbëve, ndërsa shton se u shërben të gjitha komuniteteve.
“Hapjen e këtij biznesi e kemi bërë me 17 janar 2024. Kemi fillu në mënyrën më të mirë. Kemi punët mirë. Në fillim ka qenë shumë më mirë se tash, sepse tash po ka edhe probleme shkaku i ndalesës së dinarëve që nuk po guxojnë me i përdorë dinarët. Por për momentin mirë. Kemi myshteri edhe të nacionalitetit serb, edhe shqiptar edhe boshnjak edhe turq, besa edhe të huajt zviceran e të tjerë”, shprehet Abazxhiku.
“Gjithë. Kurrë hiq. Deri me tash jo. Tash e tutje çka mundet me ndodh nuk mundem me ditë por për momentin kurrfarë problemi nuk kemi pas, as kërcënime. Kemi mirëkuptim me të gjitha palët, kalojmë mirë”, u shpreh Abazxhiku.
Ndonëse ka mirëpritur hapjen edhe të bizneseve të tjera në pjesën veriore, ai shprehet se ardhja e pronarëve shqiptarë është shenjë pozitive.
“Mendoj që ka me kanë shenjë pozitive bizneset e reja që po hapen. Po ma merr mendja që po shkojnë punët kah e mbara e mirë. Tash ishallah hapen biznese më të reja. Ishallah gjithkush kush i hap ka sukses në biznes ju shkon puna mbar e mirë”, deklaroi Abazxhiku.
Pranë kësaj qebaptore ndodhet edhe një furrë me pronar shqiptar.
Hadie Osmani bashkë me bashkëshortin e saj kanë hapur këtë furrë rreth gjashtë muaj më parë. Si edhe çdo lokal tjetër në këtë pjesë, edhe furra është në shërbim të t’ gjitha komuniteteve pa dallim. Osmani për Arbresh.info tha se asnjëherë deri me tani nuk kanë pasur ndonjë problem, kërcënime ose provokime nga komuniteti serb.
‘Gjithmonë të rregullt nga të dyja anët”, u shpreh ajo.
Edhe qytetarët shqiptarë në këtë pjesë e kanë mirëpritur hapjen e bizneseve me pronar shqiptar në veri.
“Mirë shumë mirë, kanë nis me u qel biznese shqiptare në këtë pjesë, gjithçka është në rregull, qetësi s’ka diçka. Pjesa veriore është normalizu nuk është keq. Kesh në komunë të Zveçanit me i kry disa punë, punonin pa probleme”, tha një qytetar.
Sipas një qytetari, në veri ka qenë gjithmonë bukur, ndërsa tani është bërë edhe më bukur.
“Shumë mirë. Ka fillu me u normalizu me të madhe. Ka qenë bukur, mirëpo tani edhe më mirë. Unë jetoj në atë pjesë”, u shpreh një tjetër qytetar.
“
Po e shoh pozitive. Për momentin siguria është e mjaftueshme kurrë më mirë s’ka qenë sa i përket sigurisë”, tha një qytetar.
Kurse një qytetar tjetër tregoi se në veri ka paguar me euro, ndonëse potencoi se edhe dinari është ende i vlefshëm.
“Po kjo është një diçka e mirë për neve. Më herët kesh në market ke një gjendje shumë e rregullt e mirë. Po ma merr menja që ka siguri. Na ishim në një lokal aty na pinim kafe dhe ke gjithçka në rregull. Na shqip folëm, pagesën e bëmë me euro”, u shpreh një tjetër qytetar në veri.
Përgjatë sheshit “Car Llazar” në Mitrovicën e veriut po vazhdojnë ende punimet për hapjen e lokaleve të reja, të cilat janë në pronësi të shqiptarëve.
Ndryshe, të martën është hapur zyrtarishtë Posta e Kosovës, e cila tashmë e ka zënë vendin e një butiku rrobash në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicën Veriore.
Ndërkohë, dyqanet në Lagjen e Boshnjakëve janë në pronësi kryesisht të shqiptarëve, ndërsa klientët janë kryesisht serbë.
Pjesëtarët e komunitetit serb shpesh bëjnë tregti edhe në Mitrovicë të Jugut, ku ka edhe rrjete të mëdha të supermarketeve./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...