Me pasaporta serbe nuk mund të udhëtoni nga Cyrihu për në Prishtinë, dëmtohen shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Vendimi që Kosova të mos e njohë pasaportën serbe, por vetëm letërnjoftimin e saj dhe certifikatat e lindjes, si masë reciprociteti, po u shkakton më së shumti telashe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Viktimë e këtij vendimi ka qenë edhe A.A nga Presheva, e cila kishte planifikuar sot të udhëtonte nga Aeroporti i Cyrihut për në Prishtinë. Ajo është kthyer mbrapsht, ngase certifikata e djalit të saj nuk kishte fotografi, edhe pse djali është lindur këtu dhe ka kartë identiteti të Zvicrës.
Ajo tha për albinfo, se kishte telefonuar në Ambasadën Kosovare në Bernë dhe në policinë zvicerane, por nuk kishte marrë përgjigje pozitive. “Është një vendim i pakuptimtë, si të udhëtojmë ne tani për në Prishtinë? Ne nuk mund të drejtohemi në konsullatën serbe në Cyrih”, ankohet A.A.
Derisa bileta iu dogj, ajo ishte maltretuar edhe për të kthyer bagazhin që tashmë ishte drejtuar për në Aeroplanin për në Prishtinë.
“As në rrugë tokësore nuk mund të shkoj në Gjilan”
Edhe J.J. nga Bujanoci me vendbanim në Gjilan kishte pasur fatin e njëjtë, ngase nuk kishte letërnjoftim të Serbisë. “Në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Kosovë më kanë thënë se mund të udhëtoj me këtë dokument, ngase tashmë është e pamundur të marr letërnjoftim serb me arsyetimin se unë nuk kam vendbanim në Bujanoc. Madje as në rrugë tokësore nuk mund të shkoj në Gjilan”, tha J.J.
Edhe agjencitë e udhëtimit po përballen për çdo ditë me raste të tilla. Menaxheri i “Rinori Travel”, Ismail Aliu, ka thënë se prej 9 janarit 2020, për çdo ditë ndodh të kthehen një ose dy udhëtarë që nuk kanë letërnjoftime, por vetëm pasaporta të Serbisë.
“Sot, një udhëtare ishte detyruar të udhëtojë për në Beograd, ngase kishte një rast të vdekjes, ndërsa raste të tilla kemi për çdo ditë dhe më së shumti po dëmtohen udhëtarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilëve në një farë mënyre u është ndaluar udhëtimi për në Prishtinë, ngase shumica nuk kanë letërnjoftime dhe certifikata të Serbisë”.
Ja çfarë thuhet në një letër qarkore
Një letër qarkore po qarkullon në Aeroportin e Cyrihut me njoftimin se shtetasit e Serbisë mbi moshën 16-vjeçare duhet të posedojnë edhe letërnjoftim për udhëtim.
“Shtetasit e Serbisë 16 vjeç ose më të rinj duhet të posedojnë një certifikatë lindjeje me një foto për udhëtim.
Gjithashtu kartat e identitetit ose certifikatat e lindjes të lëshuara për shtetasit e Serbisë duhet të jenë të vlefshme për periudhën e qëndrimit të synuar”, thuhet në njoftim.
“Kufizimet e pranimit dhe transitit: Udhëtarët me pasaportë të lëshuar nga Serbia nuk lejohen të bëjnë hyrje. Në rast të mos lejimit ose kthimit të pasagjerit si mungesë e informimit dhe posedimit të dokumenteve përkatëse, përgjegjësia mbetet tek ju, mjetet nuk kthehen”, thuhet më tutje në njoftim.
Masa reciproke
Ka 5 muaj e më shumë që institucionet e Kosovës kanë vendosur masë reciproke ndaj Serbisë.
Bëhet fjalë për pasaportat e shtetasve të Serbisë, të cilët më nuk mund të udhëtojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, e këtë masë tani po e aplikon edhe Aeroporti i Cyrihut. Qytetarët e Serbisë mund të udhëtojnë përmes aeroportit vetëm nëse kanë një letërnjoftim, ndërsa ata nën moshën 16-vjeçare duhet të kenë certifikatën me fotografi.
Ndryshe, Serbia nuk njeh pasaportat e as shtetin e Kosovës, e për të kaluar çdo pikë kufitare që lidh Kosovën me Serbinë qytetarët e Kosovës këtë duhet ta bëjnë vetëm me letërnjoftime.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...