Shqiptarët e Kroacisë duan bustin e Skënderbeut në qendër të Zagrebit

07:08 | 7 Nëntor 2018
Arbresh.info

Të shtunën, më 3 nëntor në sheshin e At. Andrije Kačić Mioshić, Shoqata e Artistëve Shqiptarë të Kroacisë – DEA, nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Kosovës, me ndihmën e Minoriteteve Kombëtare të Republikës së Kroacisë, organizoi manifestimin: “Skënderbeu në Letërsinë Kroate” nga At. Andrija Kačić Mioshic me rastin e 550 – vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe të 262-vjetorit të botimet të veprës “Biseda të këndshme mes popullit slloven” nga At. Andrija Kačić Mioshic, shkrimtar i njohur kroat, i cili ka shkruar për popullin shqiptar dhe heroin tonë, Gjergj Kastrioti, përcjell albinfo.ch.

Pjesëmarrësit në ceremoninë e vënies së kurorës përkujtimore morën pjesë z. Gëzim Kasapolli-Ambasadori i Kosovës në Kroaci, z. Gjergj Dedaj – Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, z. Nazif Xhaferi – Administrator i Çështjeve Ligjore në Maqedoni, z. Marijan Grakalić – Drejtori i festivalit ndërkombëtar letrar dhe znj. Ljiljana Koci – Kryetare e Shoqatës së Artistëve Shqiptarë të Kroacisë – DEA, kurse me një letër të mbështetëse mori pjesë dhe z. Xhevat Limani – themelues dhe drejtor i teatrit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe z. Shuip Ziberi kryetar i këshillit të Zagrebit.

Manifestimi është udhëhequr nga Gentiana Lleshdedaj dhe Valentina Mrijaj.

Shoqata e Artistëve Shqiptarë të Kroacisë – DEA, me rastin e këtij manifestimi “Gjergj Kastrioti në Letërsinë Kroate” ka publikuar një koleksion poezish dhe proze nga At.Andrija Kačić Mioshic shkëputur nga vepra “Biseda të Këndshme të Popullit slloven”.

Znj Koci theksoi se marrëdhëniet miqësore midis shqiptarëve dhe kroatëve janë unike në histori dhe që e kemi për detyrë që në çdo rast të theksojmë personat që këta dy popuj kanë mbajtur afër nëpër shekuj At.Andrija Kačić Mioshic është një prej tyre, gjithashtu theksoi se qyteti i Zagrebit miratoi emërimin e rrugës ose Sheshit Skënderbeu dy vjet më parë, por për fat të keq ky projekt nuk është realizuar.

Në fjalët e znj. Koçi është ndërlidhur dhe Xhevat Limani në letrën mbështetëse, ku ai theksoi se në pothuajse të gjitha kryeqytetet botës gjendet monumenti i Gjergj Kastriot Skënderbeut, mbrojtësit më të madh të qytetërimit perëndimor.

Edhe pjesëmarrësit e manifestimit ranë dakord që ky projekt meriton të realizohet dhe dëshmuan këtë, përmes fjalimeve që mbajtën në manifestim.

Manifestimi u ndoq nga qytetarët e Zagrebit, Këshillit të pakicës kombëtare shqiptare në Republikën e Kroacisë nga qytetarët e Zagrebit, Velika Gorica, Bjelovar dhe Pula, dhe shoqatave shqiptare dhe përfaqësuesve të tyre, si dhe shoqatave kroate te cilët promovojnë artin, letërsinë dhe zhvillimin e shoqërisë civile.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme