Shqipëria diskriminon qytetarët e Kosovës në raport me politikanët

11:59 | 14 Janar 2018
Arbresh.info

Mosratifikimi në Kuvendin e Kosovës i marrëveshjes së demarkacionit në mes Kosovës me Malin e Zi, vazhdon t’i mbajë peng qytetarët e vendit për të udhëtuar lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, shkruan arbresh.info.

Edhe pse Projektligji nr. 06/L-028 për ratifikimin e marrëveshjes pritet të shqyrtohet të hënën në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike dhe më pas t’i dërgohet Kryesisë për procedim në Kuvend kur edhe pritet votimi i saj, për këtë të fundit ende nuk ka ndonjë epilog.

Kjo për shkak se jo vetëm opozita por edhe partnerë të koalicionit qeverisës janë kundër marrëveshjes aktuale, duke shprehur qëndrimin e tyre se nuk do ta votojnë.

E mungesa e liberalizimit të vizave pavarësisht që ka izoluar qytetarët , e njëjta gjë nuk po ndodh edhe për përfaqësuesit e popullit. Ditë më parë kryeministri i vendit Ramush Haradinaj së bashku me familje ka marrë pasaportën e Shqipërisë, ku me këtë pasaportë do të udhëtojë lirshëm pa asnjë pengesë.

Këtë veprim nga shteti i Shqipërisë ndaj tij, Haradinaj e ka publikuar me mburrje në njërin prej postimeve të tij, duke e ditur shumë mirë, që qytetarët nuk do ta kenë këtë mundësi.

Për analistët në vend veprimi i Ramush Haradinajt e po ashtu edhe i Shqipërisë po shihet si i padrejtë. Politologu, Gurakuç Kuçi thotë për Arbresh.info se një veprim i tillë ndjell urrejtje edhe ndër-shqiptare.

“Vendimet e Shqipërisë për tu japur disa “politikanëve” të Kosovës nënshtetësi shqiptare, është i padrejtë dhe diskriminues, një akt aspak patriotik dhe i shpifur që ndjell urrejtje edhe ndër-shqiptare, pasi sa shumë shqiptarë janë politikanët e Kosovës, nuk janë me shqiptarë se populli, veçse më pak. Dhe Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve nga Kosova dhe jo i politikanëve nga Kosova”, ka thënë ai.

Ndërsa, duke folur për demarkacionin Kuçi ka thënë se në formën e tanishme kjo marrëveshje nuk do t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend. Sipas tij, kryeministri Haradinaj e ka proceduar për në Kuvend demarkacionin për t’u rrëzuar.

“Kryeministri nuk e ka iniciuar për në Kuvend për tu miratuar por për tu rrëzuar. Edhe kjo mënyra se si po paraqitet para mediave, që ligji për caktimin e kufirit me Malin e Zi të kaloj me ndryshimin e një neni, është një manipulim me publikun. Sepse, ata mund të bëjmë ndryshime sa të duan por pa një marrëveshje me Malin e Zi gjithçka është e pavlefshme përveç thirrjes te pika e marrëveshjes dhe Kushtetuta se marrëveshja hyn në fuqi vetëm me miratimin nga Kuvendi i Kosovës. Sidoqoftë kauzën sa do të drejtë të mbrojtjes së tokës së Kosovës, politikanët nga të dyja anët e kanë përdhosë dhe humb çdo vlerë të mundshme”, ka pohuar ai.

Kuçi ka theksuar se beson se demarkacioni në Kuvend do të bie ose nuk do të krijohet kuorumi për mbajtjen e seancës. Ndërsa, analisti Haki Abazi ka thënë se aktualisht nuk është koha e duhur për ta sjellë demarkacionin në Kuvend.

“Kosovarët nuk janë në pritje të liberalizimit të vizave në kohën e krizave të krijuara dhe çështjeve ekzistenciale të shtetit. Sjellja e marrëveshjes për demarkacionin në Kuvend në këtë moment pa koncensus politik se çfarë duhet të jenë hapat e mëtutjeshëm është papjekuri politike dhe provokim i situatës së përgjithshme”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, në këto rrethana po tentohet të bëhet ndarja e LDK-së nga VV-ja për të shkatërruar opozitën dhe për t’i dhënë legjitimim krahut të dezerterëve të VV-së.

Ratifikimi i Demarkacionit në Kuvend është njëri prej kushteve kryesore që ka vënë BE-ja ndaj Kosovës për liberalizim të vizave. Vitin e kaluar, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë një takimi që pati në zyrën e tij me homologun e tij nga Shqipëria, Ilir Meta kërkoi nga ai që shteti i Shqipërisë të pajis qytetarët e Kosovës me pasaporta në mënyrë që këta të fundit të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së.

Mirëpo kjo ide është hedhur poshtë nga zyrtarët më të lartë shtetëror të Shqipërisë të cilët më pas deklaruan se kjo nuk është zgjidhje e duhur./J.Zhuniqi/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme