Google ADS

Shqipëria dhe Kosova negociojnë marrëveshjen për sigurimet shoqërore, garanton të drejta të barabarta për qytetarët e dy vendeve

15:02 | 24 Maj 2022
A. B.

Shqipëria dhe Kosova negociuan marrëveshjen administrative në fushën e sigurimeve shoqërore, pas ratifikimit nga ana e parlamenteve të të dy vendeve.

Raundi i tretë i bisedimeve mes dy delegacioneve për hartimin e kësaj marrëveshjeje dhe elementëve teknikë të zbatimit u zhvilluan në datat 23-24 Maj 2022, në Tiranë, sipas njoftimit për shtyp të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Delegacioni shqiptar u kryesua nga Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë Besart Kadia, ndërsa bisedimet u udhëhoqën nga Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado.

Për palën kosovare negociatat u kryesuan nga Leunora Zulfiaj, udhëheqëse e Divizionit të Punës në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Të dyja palët, në përfundim të negociatave, shprehën vullnetin e plotë për të thelluar më tej bashkëpunimin, si dhe për të koordinuar skemat e sigurimeve shoqërore, në përputhje me standardet e legjislacionit evropian.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore, të cilat përfshijnë: përfitimet në para për barrë-lindje për personat e punësuar; personat e vetëpunësuar, si dhe për punëdhënësit; përfitimet në para për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale për personat e punësuar; për pensionin e pleqërisë, të invaliditetit dhe familjar, për personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit, si dhe për punëdhënësit.

Kjo marrëveshje është tepër e rëndësishme, pasi garanton të drejta të barabarta dhe siguron mbrojtje shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet, mbyll njoftimin Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme