Shqipëria dënon “ekstremizmin ndaj shqiptarëve” në Greqi

10:50 | 6 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Ministria e Jashtme e Shqipërisë e dënoi vrasjen e katër shqiptarëve në Greqi, ashtu si edhe “gjuhën e urrejtjes” të propaganduar nga partia ekstremiste greke “Agimi i Artë”.

Ministria u bëri thirrje autoriteteve të Greqisë “të dënojnë dhe të ndalojnë çdo përpjekje të ‘Agimit të Artë’ ose të segmenteve të tjera ekstremiste për të shkelur sigurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve” atje.

Katër shqiptarë vdiqën në Greqi në dy javët e kaluara, përfshirë njërin që u vra nga një mbështetës i dyshuar i “Agimit të Artë” dhe një tjetër që u qëllua për vdekje nga policia greke gjatë përpjekjes për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin.

Një i burgosur shqiptar dhe një 18-vjeçar u gjetën po ashtu të vdekur në rrethana të dyshimta.

Tensionet midis dy fqinjëve u rritën në tetor, pas vrasjes së një shtetasi shqiptaro-grek, anëtar i “Agimit të Artë”, në një shkëmbim zjarri me policinë shqiptare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme