Google ADS

Shqetësimet e Osmanit për draftin e Asociacionit, Hovenier: Ajo mund t’ia ofrojë pikëpamjet e saj Gjykatës

21:28 | 30 Nëntor 2023
E.H

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka folur edhe për shqetësmet e presidentes së vendit, Vjosa Osmani për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë se Osmani mund t’’i ofrojë pikëpamjet e saj në Gjykatën Kushtetuese.

Tutje ai ka thënë se ka diskutuar disa herë me presidenten Osmani në lidhje me këtë çështje.

”Nuk është vetëm… E para, kam pasur rastin të diskutoj disa herë me presidenten Osmani dhe nuk e di… dua të them, ajo mund të flasë për veten e saj, por nuk e di a është e drejtë që pikëpamjet e saj të cilësohen si dyshime e jo siç mendoj unë që i kuptoj shqetësimet e saj se ka mënyra që potencialisht mund të keqinterpretohen se nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Si presidente, natyrisht ajo ka të drejtë të shprehë shqetësimet e saj dhe pasi të jetë miratuar dhe të jetë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për rishikim – që duhet të ndodhë, është pjesë e procesit – sa e kuptoj unë, ajo, si presidente e Republikës, e ka mundësinë t’ia ofrojë Gjykatës Kushtetuese pikëpamjet e saj. Unë mund të shpreh vetëm pikëpamjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara: ne besojmë se çfarëdo Asociacioni i komunave me shumicë serbe që themelohet duhet t’i përmbushë një varg të kritereve të ndryshme. I pari: duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e tanishme të Kosovës; që të mos ketë ndryshime kushtetuese. I dyti: duhet të jetë në përputhje me vendimin e mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes”, ka thënë Hovenier në T7.

“Pra, ne – dhe partnerët tanë evropianë – e vlerësojmë që ky draft-statut, i cili i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, i përmbushë këto kritere. I përmbushë ato; është kufizuar në ato mënyra. Prandaj, jemi të bindur se mund të ecë më tej si i tillë. Edhe diçka, që mendoj se e kam thënë më herët, por mendoj se është e rëndësishme ta përsëris: çështja nëse ky draft-statut është kushtetues apo jo mund të përgjigjet vetëm nga një organ. Sigurisht jo nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo kushdo tjetër. Kjo është përgjegjësi e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për këtë arsye, sipas këndvështrimit tim, është mjaft e rëndësishme dhe urgjente që qeveria të përfundojë procesin e saj, ta miratojë atë dhe ta çojë tutje ashtu që Gjykata të vendosë”, ka thënë ambasadori amerikan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme