Google ADS

Shpërthimi në Ibër Lepenc, Rama: Kjo goditje kriminale duhet zbardhur sa më parë, BE të heqë menjëherë sanksionet ndaj Kosovës

10:45 | 30 Nëntor 2024
Q L

“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë”.

Kështu shkruan Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një postim në platformën X sa i takon shpërthimeve mbi kanalin e Ibër-Lepencit.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, “kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë”.

“Ndërkohë Bashkimi Evropian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë. Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës”.

Rama thekson se “fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së”./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme