“Shpërthen” Dreshaj, akuzon gjykatën, policinë dhe politikën për vjedhje të votave

16:28 | 19 Dhjetor 2017
M. A.

Ndërsa dje KQZ nxorri rezultatet preliminare për komunën e Istogut, humbësi i kësaj gare (bazuar në këto rezultate), duket që nuk do të heqë dorë ende nga kjo garë. Ai ka shprehur gjithë pezmin mbi mekanizmat mbikëqyrës të procesit, duke e akuzuar jo vetëm rivalin e tij nga radhët e LDK-së, policinë dhe strukturat e tjera.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Istogut Gani Dreshaj, ka thënë se, për rezultatin e zgjedhjeve të raundit të tretë do të ankohet deri në Gjykatën e Strasburgut, pasi sipas tij i janë vjedhur votat.

“Nuk e pranoj rezultatin assesi. Do të ankohem deri në Strasburg. Këta ishin kriminelë, nuk pranoj që tri herë me mi vjedhë votat në tavolinë!” – ka thënë Dreshaj.

Sipas tij, kjo është një e padrejtë që u bëhet qytetarëve të Istogut.

“ Unë i kam fituar votat. I kam 13 mijë vota, por mi kanë vjedhë. Është e pa drejtë ndaj qytetarëve të Istogut që me i vjedhë votat. Partia është pas meje 100 përqind” është shprehur Dreshaj për Gazetën Observer.

Dreshaj ka thënë se do të ankohet për rezultatin, sepse është i sigurt që ka fituar.

“S’ka as PZAP e askush tjetër që më refuzon sepse kam fituar. Deri në Strasburg e deri në Washington kam me shku, sepse është e padrejtë ndaj qytetarëve me i vjedhë votat tri herë“ ka shtuar tutje.

Në prononcimin e dhënë për Gazetën Observer, Dreshaj ka përmendur një numër prej 7 vetash dhe ka akuzuar se ky proces është krim i organizuar.

“Janë shtatë vetë. Ky është krim i organizuar. Në koordinim i kanë vjedhë votat. Gjykatësit, politika dhe policia e Istogut janë kriminelët më të mëdhenj“, ka përfunduar ai për Gazetën Observer.

Dreshaj pas rivotimit në Istog ka marrë gjithsejtë 10 mijë e 13 vota, ndërsa Haki Rugova i LDK-së ka marrë 14 vota më shumë, vota të cilat kanë përcaktuar dhe fituesin./GazetaObserver/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme