Ministri i Financave, Hekuran Murati ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti i cili thoshte se ambienti i të bërit biznes është përkeqësuar në vitin 2023 krahasuar me vitin 2017.
Sipas Muratit, studimi i Riinivest i përdorur si argument nga Hoti është studim në shpërputhje me gjendjen faktike, që sipas tij lë të kuptohet se, ose metodologjia e përdorur për matje është gabim, ose se, edhe një institucion arsimor/hulumtues si Riinvest është bërë instrument i axhendës së politikave ditore të opozitëbërjes, shkruan Arbresh.info.
“Deputeti Avdullah Hoti paska bërë një reagim në Facebook duke pretenduar se ambienti i të bërit biznes është përkeqësuar në vitin 2023 krahasuar me vitin 2017. Sipas deputetit Hoti, kjo na qenka faktuar përmes një studimi të bërë nga Riinvest. E ky studim ka shumë shpërputhje me gjendjen faktike, që len të kuptohet se, ose metodologjia e përdorur për matje është gabim, ose se, edhe një institucion arsimor/hulumtues si Riinvest është bërë instrument i axhendës së politikave ditore të opozitëbërjes. Për hir të institucionit, uroj që të jetë e para, përkundër afërsisë evidente të këtij institucioni me eksponentë të LDK-së.”, shkroi Murati në Facebook.
Tutje ai ka paraqitur indikatorët e prezantuar në studim teksa ka prezantuar arsyet pse nuk pajtohet me këtë studim.
Që në indikatorin e parë, “Normat tatimore”, sipas studimit ka pasur përkeqësim krahasuar me vitin 2017.
Ndërkaq gjendja faktike është që as edhe një normë tatimore e vetme nuk është rritur. Hera e fundit kur ka pasur rritje të normave tatimore ka qenë në vitin 2015, kur vendi qeverisej nga koalicioni LDK-PDK, dhe TVSH-ja ishte rritur nga 16% në 18%. Pra, nëse metodologjia e matjes do të ishte e duhura, ky indikator s’do duhej të shfaqte ndryshim signifikant.
Indikatori tjetër është “Ngarkesat administrative”, ku gjithashtu sipas studimit shfaqet përkeqësim krahasuar me vitin 2017.
Edhe këtu, krahasuar me vitin 2017, gjendja faktike ka përmirësime të theksuara: deklarimi i pasqyrave financiare tani mund të bëhet online në EDI, shumë shërbime tjera janë dixhitalizuar përmes eKosova (çertifikatat e pronësisë, pagesat e tatimeve e detyrimeve tjera), janë thjeshtuar e konsoliduar shumë leje e licenca, e poashtu është hequr edhe kushtëzimi i pagesës së tatimit në pronë kundrejt shërbimeve të ofruara nga niveli komunal. Pra gjendja faktike tregon se ka pasur zvogëlim të barrës administrative, kurse “studimi i Riinvest” çuditërisht na jep pasqyrë të kundërt.
Indikator tjetër që sipas Riinvest është përkeqësuar, është edhe “Ligjet dhe sistemi gjyqësor”.
Ndërkohë gjendja faktike është se kemi krijuar Gjyaktën Komerciale, dhe trajtimi i rasteve komerciale është përshpejtuar dukshëm.
“Qasja në kredi” është tjetër indikator që sipas studimit të Riinvest është përkeqësuar.
Gjendja faktike është e kundërt: kreditimi i bizneseve në tetor të vitit 2017 ka qenë në nivelin 1.54 miliardë euro, kurse në tetor të vitit 2023 ka qenë 2.93 miliardë euro, pra gati dyfishim. Edhe nëse e shikojmë si përqindje e BPV-së, na del se në vitin 2017 kreditimi i bizneseve ishte në nivelin prej 24.2% të BPV-së, kurse në vitin 2023 kjo shifër është në nivelin e 30% të BPV-së. Pra të gjitha statistikat objektive e të matshme e demantojnë rezultatin e studimit.
“Kostoja e financimit” gjithashtu shfaqet si përkeqësim.
Nivelin më të ulët normat e interesit e kishin prekur në vitin 2021 me 5.9% mesatarisht, duke rikthyer pastaj një rritje të ndalshme në vitet pasuese për shkak të rritjes së normës bazë nga Banka Qendrore Evropiane.
Në vitin 2017, norma mesatare e interesit për kreditë e reja për bizneset ishte 6.44% vjetore, apo +6.69% mbi nivelin e Euriborit 6-mujor (-0.25% Euribor mesatarja për 2017). Në 10 muajt e parë të 2023 norma mesatare e interesit për kreditë e reja është 6.73%, apo +2.94% mbi nivelin e Euriborit 6-mujor (3.79% Euribor mesatarja për 2023). Pra kostoja e kreditimit është mbajtur në nivele të ngjashme, përkundër rritjes së normës bazë të financimit prej më shumë se 4 pikë përqindjeje nga Banka Qendrore Evropiane. Kjo madje nuk përfshin as efektet e Masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese.
Tjetër indikator i përkeqësuar del të jetë edhe “Inkasimi i borxheve”.
Në fund të vitit 2017, faturat e papaguara që shteti u kishte borxh operatorëve ekonomikë kishin shënuar nivelin prej 199.41 milionë euro. Në fund të vitit 2022, vlera për faturat e papaguara më të vjetra se 30 ditë, ishte reduktuar në 23.73 milionë euro, apo rreth 176 milionë euro reduktim. Pra, shteti ka përmirësuar dukshëm pagesat e faturave dhe borxheve ndaj bizneseve krahasuar me vitin 2017, andaj edhe njëherë demantohet rezultati i studimit.
“Efikasiteti i Doganës dhe ATK-së” dhe “Informaliteti” kanë përkeqësim gjithashtu, sipas studimit.
Në vitin 2017, të hyrat tatimore të mbledhura nga Dogana dhe ATK, ishin 1.49 miliardë euro. Në vitin 2023, kjo pritet të jetë 2.50 miliardë euro. Pra kemi mbi 1 miliardë euro rritje në mbledhje të tatimeve nga këto dy institucione, pa rritur asnjë normë tatimore. Rrjedhimisht, demantohet edhe rezultati i studimit se ka përkeqësim të efikasitetit të Doganës e ATK-së, apo përkeqësim të informalitetit.
Një indikator megjithatë, që paska rënë në 0 për vitin 2023 nga 47.3 sa paska qenë në vitin 2017, qenka “Haraçi”, thotë Murati.
“Për këtë mund të pajtohem me studimin.”, përfundoi ai./Arbresh.info/
LEXO EDHE:
Hoti: Ambienti për biznes në vitin 2023 është përkeqësuar krahasur me vitin 2017
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale