Google ADS

Shpend Ahmeti: Ndoshta Thaçi di diçka që ne nuk dimë

17:18 | 23 Janar 2019
Arbresh.info

Bashkëdrejtuesi i Ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka thënë në një konferencë për media se ekipi negociator bashkë me gjashtë komisione të formuara brenda tij, janë duke punuar intensivisht rreth procesit të dialogut me Serbinë.

Ahmeti, sikurse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ka pak mundësi që të arrihet shpejt ndonjë marrëveshje me Serbinë.

“Ne po themi se jemi gati të ulemi të flasim, por në asnjë mënyrë kjo të mos keqkuptohet si gatishmëri e jona për të bërë ndonjë kompromis të dhimbshëm për atë njohje nga Serbia”, është shprehur Ahmeti.

“Ndoshta presidenti Thaçi është më optimist dhe ndoshta di diçka që ne nuk po dimë. Por nga ajo që po shoh, edhe si qëndrim i palës kosovare, edhe gatishmëri e shoqërisë sonë, edhe qëndrim i subjekteve politike, ne mendojmë se kemi dhënë mjaftueshëm. Nëse Serbia pret se do të vazhdojmë me koncesione të tjera, atëherë besoj se gjasat janë shumë të vogla për një marrëveshje”, është shprehur Ahmeti.

Përveç tjerash, Ahmeti ka thënë se gjatë javës së ardhshme do të dorëzojë në Kuvendin e Kosovës platformën për bisedime.

“Ajo platformë është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. E dyta është që ajo platformë e thotë dhe duhet ta thotë, dhe besoj se do ta marrë mbështetjen e Kuvendit, është se ky dialog nuk është dialog pa qëllim. Pra ky dialog e ka një qellim që ta përmbyllë procesin e njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse nuk ka njohje të shtetësisë nga ana Serbisë, atëherë për ne ky dialog nuk ka kuptim”, ka thënë ai.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Mekanizmat ndërkombëtarë kanë shtuar së fundmi thirrjet për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme