Shpend Ahmeti: Është mirë të marrim vendim për mbylljen njëjavore të shkollave

16:31 | 9 Mars 2020
L G

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se është mirë të merret një vendim për mbylljen njëjavore të shkollave në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.

Në një lidhje direkte në Klan Kosova, ai ka thënë se në rastin më të keq, Kosova nuk do të mund të ballafaqohet me aq efikasitet sikurse shtetet e Bashkimit Europian.

“Unë e kam ngritur këtë çështje edhe të premten sepse koronavirusi tashmë është afruar për mos të thënë se ka njerëz të prekur në Kosovës sepse është e pamundur të mos e kemi asnjë rast kur dihet se të gjitha vendet përreth janë të prekura”.

“Nuk e kemi raste të konfirmuara, por me kemi mundësinë që të parandalojmë më shumë sesa shtetet tjera – me idenë që t’i zvogëlojmë sa më shumë tubimet e mëdha”.

“Është mirë ta shqyrtojmë tani dhe jo më vonë. Periudha e inkubimit është 14 ditë. Një javë mësim nuk është asgjë në krahasim me luftën ndaj këtij virusi. Është mirë që të kemi sa më pak të prekur”.

“Unë jam prind dhe nga fëmijët e mi e kuptoj se në shkolla po diskutohet tërë kohën. Është duke u shkaktuar një frikë e panevojshme. Institucionet tona kanë vepruar mirë sa i përket udhëzimeve. Nuk do të na kushtonte shumë që kësaj fushate t’ia bashkëngjisim edhe masat tjera parandaluese”.

“Do të ishte mirë që ta bëjmë këtë, nuk ka vend këtu për politikë, ka vend për profesionistë dhe po ashtu për vendime pak më të guximshme që ndoshta dikujt i duket shumë një javë mësim”.

“Meqenëse është kjo periudha e inkubimit është dyjavore, unë mendoj se gjithmonë jemi një hap përpara. Nëse presim konfirmime; atëherë jemi dy javë prapa. Pra e kemi mundësinë që nuk e kanë pasur shtetet tjera”.

“Nuk ka vend për politikë, ka vend për përkujdes të shtuar. Për mua ja vlen që t’i evitojmë tubimet e ndryshme me shumë njerëz. Mendoj se është mirë ta marrim këtë vendim tani”.

“Nëse kemi një pandemi të përhapjes së shpejtë, ne nuk mund të ballafaqohemi sikur shtetet e BE-së”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme