Google ADS

Shpalosen artefakte nga viktimat e Srebrenicës, të ruajtura nga familjarët

15:29 | 11 Korrik 2024
R J

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN, shpalosi  për herë të parë në Prishtinë artefaktet e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, të cilat i kanë ruajtur familjarët e viktimave. Ato u ekspozuan në Shtëpinë e Gazetarëve në ish- Shtëpinë e Mallrave “Gërmia” në Prishtinë.

Në ceremoninë e shpalosjes së artefakteve morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, dhe Mensur Bektiq, përfaqësues i familjarëve boshnjakë të vrarë në luftën e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi theksoi se duhet harrohet historia e asaj çfarë ka ndodhur.

“Është ditë e rëndësishme dhe ne nuk duhet ta harrojmë atë çfarë ka ndodhur, sepse nëse harrojmë çfarë ka ndodhur në Srebrenicë, kjo mund të përsëritet. Është më rëndësi të shënojmë këtë ditë pasi edhe boshnjakët dhe shqiptarët kanë pasur të njëjtin armik, i cili ka tentuar me zhdukë një popull të tërë.”, tha Rexhepi.

Kurse përfaqësuesi i familjarëve të të vrarëve boshnjakë, Mensur Bektiq, tha se,pavarësisht gjenocidin në Srebrenicë, qytetarët e Bosnjes dhe Kosovës kanë treguar tolerancë.

“ Ditë e pikëlluar është sot për ne. Nëse vini në Srebrenicë dhe rrini me nëna, gra, motra të atyre që u janë vrarë, krejt ajo çfarë keni me dëgjuar është ofshamë, pikëllim. Por, asnjëra nuk lypë hakmarrje. Ato edukojnë gjeneratat e ardhshme me tolerancë që mendoj që e ka treguar edhe Kosova”, tha ai.

Artefaktet janë dhuruar nga Amra Begiq dhe tregojnë historinë e gjësendeve të babait të saj të vrarë në Srebrenicë.

Artefaktet e viktimave të gjenocidit nga familjarët e viktimave u shpalosen si pjesë e bashkëpunimit që BIRN dhe Prishtina Biennale kanë krijuar me Qendrën e Memorialit të Srebrenicës./rtk

Të ngjashme