Telekomi i Kosovës ka shpallur konkursin për kryeshef ekzekutiv të ndërmarrjes. Konkursi është hapur dy javë pas dorëheqjes së Gent Begollit nga pozita e kryeshefit.
Në njoftimin e Telekomit të Kosovës thuhet se procesi i aplikimit dhe përzgjedhjes do të zhvillohet me procedurë të hapur dhe transparente, që do të jetë në pajtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Telekomi thotë se ka kërkuar nga Qeveria që Ambasada Britanike të përfshihet në përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv.
Kandidati duhet të ketë diplomë universitare në lëminë e shkencave teknike, telekomunikacion, menaxhment të biznesit, ekonomisë, financave, inxhinierisë, juridik ose fusha të ngjashme. Po ashtu duhet të ketë njohuri të mira të gjuhës angleze në të shkruar dhe të folur dhe preferohet edukim i avancuar (master) në sektorin relevant.
“Diploma nga universitetet jashtë vendit duhet të jenë të nostrifikuara”, thuhet në njoftimin për konkurs në faqen e Telekomit të Kosovës.
Sipas kushteve të konkursit, kandidati duhet të ketë së paku 5 vite përvojë në nivel të menaxhmentit të lartë. Preferohen individet me përvojë pune në ndërmarrje, korporata të tjera me madhësi dhe kompleksitet të lartë, duke përfshirë dhe kërkesat tjera që i parasheh neni 17. pika 3 e ligjit 03/L-087, s’i është ndryshuar e plotësuar më vonë.
Po ashtu, kandidati duhet të ketë njohuri të mirë të produkteve dhe shërbimeve te Telekomit si dhe trendet e zhvillimit të Telekomit dhe njohuri financiare, me aftësinë për të kuptuar dhe interpretuar të dhënat financiare për vendim marrje.
Afati i fundit për aplikim për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës është 13 dhjetor 2018.
Gent Begolli ka dhënë dorëheqje “për arsye personale” me 31 tetor pas marrjes së detyrës më 21 qershor të këtij viti si kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës.
Begolli ka qenë drejtor i Shërbimeve Publike në qeverisjen e kaluar në Prishtinë nga radhët e Aleancës për Ardhmërin e Kosovës. Begolli po ashtu ishte bartës i listës së AAK-së në zgjedhjet lokale për Komunën e Prishtinës.
KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga Bordi i Telekomit të Kosovës nëse ata kanë kërkuar interpretim ligjor nga Zyra e Kryeministrit apo Ministria e Zhvillimit Ekonomik kur e kanë përzgjedhur e Begollin si kryeshef ekzekutiv, duke marrë parasysh të kaluarën e tij politike. Por, bordi i Telekomit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara me datën 29 tetor 2018.
Ndërkohë, një interpretim i dhënë nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik ia kanë pamundësuar Blerand Stavilecin të hyjë në garë për drejtor ekzekutiv të KEK-ut.
Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike. Pra, asnjë person që në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjedhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrje publike.
Ky është interpretimi që ka dhënë Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe Zyra e Kryeministrit (ZKM) për kandidatët për Drejtor Menaxhues të KEK-ut që kanë pasur të kaluar politike pas kërkesës për interpretim ligjor që ka bërë Bordi i KEK-ut me datën 12 shtator.
Ky interpretim ishte kërkuar për të qartësuar kandidaturën e Blerand Stavilecit, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik, tash pjesë e kabinetit të kryeparlamentarit, Kadri Veselit dhe kandidat i PDK-së për asamblenë komunale të Prishtinës në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Në këtë opinion ligjor është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike.
“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, potencohet në opinionin ligjor.
Sipas këtij opinioni, përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.
Njëri nga kandidatët për Drejtor Menaxhues në KEK është edhe ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e PDK-së, Blerand Stavileci i cili postin e ministrit e ka mbajtur që nga viti dhjetori i vitit 2014 deri në muajin shtator të vitit 2017.
Dhe sipas opinionit ligjor të ZKM-së dhe MZhE-së, ende nuk kanë kaluar 36 muaj që kur Stavileci ka qenë i emëruar politik si ministër.
Izraeli dhe Hezbollahu arrijnë marrëveshje për armëpushim
Gola me bollëk pas pjesës së parë në ndeshjet e Ligës së Kam...
Banorët e Fushë Kosovës nesër do mbesin pa furnizim me ujë t...
Kurti nesër merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës ...
Shpërthim në Prishtinë, lëndohet një person
Lewandowski arrin shifrën e 100 golave në Ligën e Kampionëve