Google ADS

Shpallet e pafajshme drejtoresha e OJQ-së që akuzohej për përvetësim të parave të bamirësisë

12:56 | 4 Tetor 2019
Arbresh.info

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka shpallur të pafajshme drejtoreshën e Organizatës Jo-Qeveritare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, Edita Dula, që akuzohej për përvetësim të parave të bamirësisë dhe keqpërdorim të besimit.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka thënë se aktgjykimi lirues është marrë unanimisht mbi faktin se kanë parë që nuk ka prova të mjaftueshme për ta argumentuar aktin akuzues.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria më 5 dhjetor 2017, Edita Dula, gjatë viteve 2016 – 2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ – së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, në vazhdimësi ka përvetësuar paratë që i janë besuar, konkretisht, dyshohet se ka përvetësuar 1.488.90 euro të kësaj organizate.

Sipas prokurorisë, nga shuma e përgjithshme, Dula, 1.088.90 i ka përvetësuar, duke i tërhequr nga llogaria bankare e OJQ – së, ndërsa shumën prej 400 eurosh, i ka përvetësuar nga shuma që kanë dhënë njerëzit e vullnetit të mirë, që i kishin dhënë për personat në nevojë, në emër të festës së “Fitër Bajramit”.

Përveç veprës penale të përvetësimit në detyrë, ajo akuzohet edhe për veprën penale të “keqpërdorimit të besimit”, pasi siç pretendon Prokuroria, Dula, gjatë viteve 2016 – 2017, gjatë kohës sa ka qenë drejtoreshë e OJQ – së “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, ka vepruar në kundërshtim me statutin e datës 7 korrik 2017, në atë mënyrë që gjësendet që janë dhuruar për njerëzit në nevojë, të njëjtat i ka përvetësuar për vete. /BetimipërDrejtësi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme