Google ADS

Shoqëria “Lëvizja”: FSK të shndërrohet në Ushtrinë e Kosovës

22:21 | 21 Mars 2017
Arbresh.info

Lidhur me projektligjin e iniciuar për shndërrimin e FSK-së në Ushtrinë e Kosovës, Shoqëria “Lëvizja” mendon se miratimi i projektligjit për FSK-në, ku FSK shndërrohet në Ushtri të Kosovës, është një nga çështjet më të rëndësishme për shtetin e Kosovës.

Komunikata e plotë e Shoqërisë “Lëvizja”:

Lidhur me projektligjin e iniciuar për shndërrimin e FSK-së në Ushtrinë e Kosovës, Shoqëria “Lëvizja” shpreh këtë qëndrim:

Shoqëria “Lëvizja” mendon se miratimi i projektligjit për FSK-në, ku FSK shndërrohet në Ushtri e Kosovës është një nga çështjet më të rëndësishme për shtetin e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes nga shtetet kryesore të botës.

Ushtria e Kosovës është garanci e stabilitetit të Kosovës dhe rajonit.

Kosova duhet ta ketë ushtrinë dhe në një të ardhme të afërt të jetë e aftë ta mbrojë veten.

Meqenëse aktualisht duket e pamundur që në formën e ndryshimeve kushtetuese të vijmë deri te shndërrimi i FSK-së në ushtri, konsiderojmë se, dhënia e misionit ushtarak FSK-së përmes ligjit, aktualisht ngelet e vetmja rrugëdalje. Prandaj ftojmë pozitën e opozitën që ta votojnë këtë ligj.

Ftojmë subjektet politike të Kosovës dhe mbarë spektrin politik kombëtar në Ballkan, që të shprehin unitet të pathyeshëm rreth domosdoshmërisë së ndryshimit të misionit të FSK-së në ushtri. Krijimi i Ushtrisë së Kosovës qëndron mbi divergjencat që kanë forcat politike mes tyre dhe si e tillë kjo çështje tejkalon raportet pozitë-opozitë. Çështja e ushtrisë nuk duhet të shndërrohet në marketing për fushata elektorale e as nuk duhet të ngatërrohet me tema tjera që padrejtësisht mund t’i imponohen Kosovës.

Kuptimi i subjektivitetit shtetëror dhe pavarësisë është ngushtësisht i lidhur me institucionin e ushtrisë. Pavarësia ngërthen në vetvete të drejtën e popullit të Kosovës dhe përfaqësuesve të tij në Kuvend për të vepruar sipas nevojave që imponon koha dhe çasti politik. Krejt ky vullnet politik duhet të kurorëzohet me krijimin dhe mbajtjen e një ushtrie, që për qëllim ka mbrojtjen e vendit nga çfarëdo agresioni i mundshëm.

Diskutimet e zjarrta kundër krijimit të Ushtrisë së Kosovës, krijojnë përshtypjen, për dikë që nuk i njeh rrethanat, sikur Kosova po bën diçka që nuk e kanë shtetet tjera. Miratimi i projektligjit në fjalë do t’i jep mundësi Kosovës që të ketë forcën ushtarake, që për mision ka ruajtjen e paqes në Kosovë dhe në rajon, si dhe t’i jep kuptim ambicieve për integrimin e Kosovës në NATO.

Për Shoqërinë “Lëvizja” janë të papranueshme përpjekjet për ta penguar Kosovën në ngritjen e kapaciteteve të saja mbrojtëse, sidomos në kohën kur Serbia është duke u armatosur me armët më moderne. Një gjë e tillë mund të perceptohet si inkurajim i Serbisë në politikën e saj luftënxitëse në Ballkanin perëndimor.

Ushtria e Kosovës nuk e rrezikon askënd. Përkundrazi, u shtohet një forcë e re të gjitha forcave që janë për paqe dhe siguri në rajon.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme