Shoqëria civile në serbi: Kosova është kusht për hyrje në BE

21:38 | 9 Shkurt 2023
E.H

Në Serbi, shoqëria civile po konsideron se arritja e një marrëveshjeje dhe njohja e Kosovës, është kusht para anëtarësimit të këtij vendi në BE.

Sipas shoqërisë civile në Serbi, kërkesa për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare është thelbi i propozimit franko-gjerman, i cioli sipas tyre, është i pandryshueshëm.

Në konferencën e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian është theksuar se pëlqimi i Serbisë për një lloj subjektiviteti juridik të Kosovës dhe kërkesa për të mos kundërshtuar hyrjen e saj në organizatat ndërkombëtare është thelbi i propozimit franko-gjerman.

Sipas vlerësimeve, këto janë negociata kyçe, pas të cilave do të mbetet vetëm të negociohet njohja dhe zbatimi i marrëveshjes.

“Kushti që Serbia të njoh Kosovën para hyrjes në BE nuk është i vjetër, kjo është kërkesa e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së. Kjo është e qartë edhe për Beogradin zyrtar, që në ditën e hyrjes në BE, Serbia duhet ta njoh Kosovën, mirëpo ky është një proces, i cili mund te zgjate prej 7 deri ne 10 vjet”, deklaroi Dragisha Mijaçiq nga Grupi Punues i KKBE, raporton rtk.

Arritja e marrëveshjes shihet si agjendë për stabilitetin e rajonit.

Bojana Sellakoviq nga Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian, thotë se nuk ka alternativë ndaj këtij plani, këtë nuk ka as Serbia, as Kosova dhe as BE-ja në këtë moment.

“Dhe diku tani interesat janë përputhur sepse për shkak të situatës gjeopolitike duhet të sigurohet stabiliteti në këtë pjesë të Evropës, dhe se problemi i Beogradit dhe Prishtinës paraqet kërcënimin më të madh ndaj atij stabilizimi”, tha Sellakoviq.

Sipas përfaqësueseve të shoqërisë civile, propozimi franko-gjerman nuk do të ndryshohet, ndërsa vetëm po negociohen detajet e vogla, siç është fjalori që do t’u përshtatet palëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme