Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë përmes një letre publike drejtuar Kryeministrit Ramush Haradinaj, Ministrit Uran Ismaili , dhe deputetëve të Kuvendit ka vlerësuar se rritja e pagës së punëtorëve shëndetësorë pa vlerësim të performancës, duke u anashkaluar Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, është veprim i gabuar dhe i dëmshëm për reformën në shëndetësi.
Kjo shoqatë ka numëruar disa arsye pse nuk duhet rritur pagat e mjekëve.
Më poshtë reagimi i plotë i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë:
Sistemi shëndetësor në Kosovë po përjeton dhembje të mëdha. Qytetari ynë vdes dhjetë vite më herët se qytetari europian. Foshnjat tona vdesin trefish më shumë se ato në Europë. Ka mungesë kuadri dhe ka mjek të papunë. Ka nënfinancim të theksuar dhe menaxhim joadekuat të buxhetit. Buxheti i Kosovës për shëndetësi është shumë më i ulët se sa në vendet e rajonit. Në kërkim të shërimit, rreth njëqind milion euro në vit pacientët tanë i shpenzojnë jashtë vendit.
Sistemi shëndetësor në Kosovë vuan rëndë nga:
– Nënfinancimi i theksuar
– Rregullimi institucional joadekuat
– Implementimi i dobët i principeve qeverisëse.
Forma e organizimit të sistemit shëndetësor “me provizion direkt”, siq e ka aktualisht Kosova, është dëshmuar se nuk jep performancë efikase dhe nuk i motivon ofruesit për ta rritur cilësinë e shërbimeve. Pagesa fikse lineare dhe mungesa e llogaridhënies kanë quar në demotivim të stafit për punë. Psh. Në të njëjtën klinikë, me të njëjtin specializim, që paguhen me pagë të njëjtë, njëri kirurg kryen mbi 300 operacione në vit kurse tjetri kryen nën 30 operacione. Një praktikë e këtillë e pabarazisë gradualisht i ka favorizuar sjelljet joetike tek personeli të cilat kanë rezultuar me bartje të pacientëve në institucione private shëndetësore apo edhe me pagesa informale.
Kosova në harmoni me rekomandimin e OBSH – së është futur në një reformë të sistemit shëndetësor e cila konsiston në:
• ndarjen e blerësit prej ofruesit të shërbimeve shëndetësore,
• futjen e skemës së sigurimeve shëndetësore (funksionalizimin e Fondit) dhe
• kontraktimi i shërbimeve me pagesa sipas performancës
Jemi të vetëdijshëm që kjo reformë nuk është gjë e lehtë. Funksionalizimi i Fondit të Sigurimit Shëndetësor është një proces kompleks i cili kërkon shumë planifikim, përgatitje, ekspertizë dhe angazhim të shumë partnerëve social dhe, atë çka është më e rëndësishmja, përkrahjen e pa rezervë të Qeverisë.
Fatkeqësisht, kjo reformë tani për tani ka ngecur në mungesë të një përkrahje të qeverive të një pas njëshme, që nga paslufta deri më tani.
Pse nuk duhet rritur pagat e mjekëve?!
Mjekët si shtresë e lartë e shoqërisë intelektuale, duke qenë se vazhdimisht prononcohen se “pacientin e kanë në qendër”, do të kishte qenë e pritshme që ata të jenë më të zëshëm në kërkim të reformës. Në këtë pako të kërkesave të tyre është pritur që ata të jenë të brengosur edhe për rezultatet e dobëta shëndetësore, vdekshmërinë e lartë perinatale, shkallën e lartë e infeksioneve intrahospitalore, mungesën e protokolleve klinike, mungesën e pajisjeve mjekësore, mungesën e hapësirës për punë e edhe për pagat e pamjaftueshme. Por ata nuk e bënë këtë, ata e zgjodhën vetëm rritjen e pagave dhe asgjë tjetër në kundërvlerë.
Një rritje e këtillë e pagave pa asnjë analizë dhe pa asnjë dëshmi se do të përmirësohet cilësia në shërbime shëndetësore nuk na jep asnjë garancë që rezultatet shëndetësore do të përmirësohen. E kemi përvojën e para disa vitesh të rritjes së pagave për personelin shëndetësor dhe nuk ka asnjë evidencë se ajo rritje pati ndikim pozitiv në përmirësimin e gjendjes në shëndetësi.
Presioni për rritje pagash përmes grevës dhe bojkotit është mënyra më jokreative e parashtrimit të një kërkese. Shumë më kreative do të kishte qenë që t’i bëhet presion Qeverisë për përshpejtim të reformës, me veprime proaktive në përgatitje të parakushteve për kontraktim të shërbimeve me Fondin. Me një qasje kreative të parashtrimit të kërkesave, mjekët do të ishin bërë model dhe do të kishin përquar mesazh edhe tek grupet tjera të shoqërisë se si parashtrohen kërkesat. Pacientët do të kishin qenë aleati i parë i bashkangjitur në kërkesat e tyre.
Rritja e këtillë e pagës së mjekëve pa vlerësim të performancës, duke u anashkaluar Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, është veprim i gabuar dhe i dëmshëm për reformën në shëndetësi.
Cila do të ishte zgjidhja?
• Prioritet mbi prioritete në shëndetësi duhet të vëhet implementimi i Sistemit të Integruar të Informimit Shëndetësor (SIISH). Kjo do të ishte gurëthemel i ndërtimit të një mjekësie moderne të bazuar në evidencë.
• MSH ta definojë qartë reformën si objektivën kryesore të politikbërjes së saj. Çdo veprim që ndërmerret në të ardhmen të jetë në harmoni të plotë me kahjen e reformës dhe të mos ketë veprime që nuk e ndihmojnë apo që e vështirësojnë implementimin e reformës.
• Të intensifikohet dialogu social me të gjithë partnerët social dhe grupet e interesit, gjë që do të ndihmonte që të vëheshin në pah sa më shumë sfida dhe pengesa që mund të dalin në rrugën e reformës.
Si hap konkret drejt zgjidhjes mund të jetë pagesa nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor si pagesë shtesë për stimulim të performancës (e cila edhe ashtu parashihet si hap fillestar i reformës), por jo si rritje e pagave dhe jo nga buxheti i Qeverisë.
Të mos harrojmë, Ruanda për më pak se një dekadë nga gjenocidi që e pësoi, arriti ta funksionalizoj skemën e sigurimeve dhe ta konsolidoj sistemin shëndetësor. Ndërsa Kosova edhe dy dekada pas luftës nuk po arrinë të ndërtoj një sistem shëndetësor të qasshëm dhe cilësor për qytetarët.
Qeveria bënë mirë që e dëgjon zërin e qytetarëve, në këtë rast mjekëve si grup më i zëshëm, por do të ishte mirë që t’i dëgjoj edhe “klithmat” e qytetarëve të heshtur. Pacientët ndonëse janë të heshtur, ata nga brenda janë duke klithur.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...