Shoqata e Gastronomëve dhe Oda e Hotelerisë protestojnë më 15 dhjetor

20:17 | 10 Dhjetor 2021
L G

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës (SHGK) dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) kanë vendosur që më 15 dhjetor të protestojnë për shkak të mosmbështetjes financiare, mohimit të të drejtës për të punuar dhe mosgatishmërisë për takime dhe gjetje të zgjidhjes nga Qeveria e Kosovës.

Përfaqësues të të dy shoqatave, në një konferencë për media, thanë se protesta do të nisë në orën 13:00 para qeverisë, pasi ajo i ka burgosur dhe nuk po u jep bukë.

Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, tha se pas shumë tentativave për t’i shfrytëzuar rrugët demokratike lidhur me kërkesat e tyre dhe mungesa e një strategjie të Qeverisë së Kosovës për t’i ndihmuar gastronomisë, janë detyruar që të organizojnë protestë.

“Mospasja e një vizioni dhe një strategjie nga ana e Qeverisë së Kosovës, në raport me gastronominë, neve na ka imponuar që t’i shfrytëzojmë rrugët demokratike, pra organizimin e protestës, të cilën e kemi paralajmëruar me datë 15 dhjetor, në orën 13:00 para qeverisë”, tha ai.

Vranica tha se qeveria i ka burgosur dhe nuk po u jep bukë.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, tha se po përgatitën për këtë protestë.

“Kjo protestë nuk është me dëshirën tonë, por është imponuar për arsye se i kemi shterur të gjitha mundësitë që të vazhdojmë bisedimet me qeverinë dhe ministritë përkatëse, por kemi hasur në vesh të shurdhër dhe na është imponuar kjo protestë, kështu që ftoj të gjithë bizneset që i përkasin fushës së hotelerisë dhe turizmit që të na bashkohen, estrada të na bashkohet, përfaqësues të sallave të dasmave, përfaqësues të këtij sektori”, ka thënë ai.

Sipas tij, këta sektorë kanë qenë më të atakuarit gjatë kohës së pandemisë.

“Ne edhe ndihmat, do të thotë edhe ato që është dashur prej 420 milionë eurove, as që ka filluar, prandaj nuk është çështja vetëm e zgjatjes së orarit, orës policore ose hapja e ahengjeve, por edhe shumë faktorë tjerë kanë ndikuar që të marrim këtë hap,” tha ai.

Në këtë konferencë u tha se ata nuk janë subvencionuar, iu është mohuar e drejta e punës dhe injorohen për takime.

Të ngjashme