Shoqata e Bankave të Kosovës dhuron donacion prej 50,000 Euro për të mbështetur procesin e vaksinimit në Kosovë

12:51 | 28 Shtator 2021
Arbresh.info

Bankat anëtare të Shoqatës së Bankave të Kosovës kanë nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi me Ministrinë e Shëndetësisë përmes së cilës bankat kanë ndarë shumën prej 50,000 Euro për të mbështetur procesin e vaksinimit në Kosovë.

“Për të mbështetur procesin e vaksinimit dhe personelin shëndetësor, bankat komerciale të Kosovës po japin një kontribut të çmuar. Në qershor të këtij viti kemi dhënë një donacion me pajisje për nënshkrimin dixhital në qendrat e vaksinimit në tërë Kosovën, ndërsa tani bankat komerciale kanë ndarë një tjetër donacion në vlerë monetare prej 50,000 euro. Duke qenë se vaksinimi është përgjigjja në luftën kundër pandemisë, të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të mbështetur këtë proces”, është shprehur Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, transmeton arbresh.info.

Bankat komerciale të Kosovës kanë vazhduar të japin ndihmën e tyre dhe kontributin për parandalim dhe mbrojtje kundër virusit që nga paraqitja e pandemisë dhe vazhdojnë të jenë pranë klientëve të tyre gjatë kësaj periudhe të vështirë. Duke ofruar financimin e nevojshëm për ekonominë e vendit. Përkundër shumë sfidave që ka shkaktuar pandemia, sektori bankar vazhdon të ruajë stabilitetin dhe vazhdon të financoj ekonominë duke ofruar likuiditetin e nevojshëm si për bizneset ashtu edhe për ekonomitë familjare.

“Si Ministri e Shëndetësisë, jemi shumë mirënjohës për këtë donacion dhe për ndihmën e vazhdueshme që sektori bankar po jep për të luftuar pandeminë. Ky donacion do të pranohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe do të vendoset në dispozicion të personelit mjekësor dhe vullnetarëve të ekipeve të vaksinimit në Kosovë”, theksoi Faik Hoti, Udhëheqës i Divizionit të Komunikimit me Publikun në Ministri të Shëndetësisë me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për këtë donacion.

Tutje, Shoqata e Bankave të Kosovës bën thirrje për qytetarët që të vaksinohen më qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme