Shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare iu dha të hënën titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Zoti Macron mbërriti në Tiranë pas një takimi më herët gjatë ditës të udhëheqësve të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai nuk mori pjesë në takim për shkak të sulmit gjatë të cilit u vra me thikë një mësues dhe tre të tjerë u plagosën në një shkollë në veri të Francës.
Në një fjalim të gjatë ku foli për romanet e ndryshme të Kadaresë gjatë karrierës së tij si shkrimtar dhe se si ai i rezistoi qeverisjes komuniste të Shqipërisë, zoti Macron i dha atij këtë titull “për veprat e tij, kurajon e tij për t’u ngritur ndaj një sistemi diktatorial… dhe si një mbrojtës i lirisë, një shkrimtar i madh për njerëzimin”.
Ismail Kadare, tashmë në moshën 87-vjeçare, është përmendur prej kohësh ndër konkurentët për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë. Ai fitoi njohje ndërkombëtare që kur romani i tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej nga qeveria komuniste e diktatorit Enver Hoxha.
Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, zoti Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris dhe u rikthye rishtazi në Tiranë.
Franca e ka bërë atë anëtar të jashtëm të Akademisë së Shkencave Politike dhe Morale, si dhe Komandant të Legjionit të Nderit.
Zotit Kadare i janë dhënë disa çmime ndërkombëtare për veprat e tij, ndër to rreth 80 romane, skenarë, poezi, ese dhe koleksione tregimesh të përkthyera në gjuhë të ndryshme./voa
Dhurata më e çmueshme e Xhensiles për Ajken vjen për Krishtl...
Kurti: Tre milionë euro investim në arsim për Komunën e Mali...
Rrëzimi i aeroplanit në Kazakistan, Rama: Shprehim ngushëlli...
Papa Françesku bën thirrje t’i jepet fund luftës në Uk...
Murati: Secili që dëshiron mund të heq dorë nga lista përfit...
Sjellja e tmerrshme e Xum Allushit ndaj banorit të ri nga Ko...