Vitit 2017 i solli Kosovës dy palë zgjedhje, ato nacionale dhe lokale. Krerët e vendit dhe ambasadorët e shteteve mike në deklaratat e tyre thanë se Kosova kaloi me sukses këto zgjedhje, pasi që sipas tyre, të dy palë zgjedhjet si ato nacionale edhe lokale ishin të lira dhe demokratike ku populli ishte i lirë dhe pa presion që të votonte. Mirëpo, rezultatet e këtyre zgjedhjeve kësaj radhe ishin befasuese për shumëkë, përfshirë edhe vetë partitë politike.
Në zgjedhjet nacionale të cilat u mbajtën më 11 Qershor të vitit 201, fituese doli Partia Demokratike e Kosovës me 33,74%. E dyta u rendit Lëvizja Vetëvendosje me 27,49%, ndërsa e treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,53%. Mirëpo PDK nuk doli e vetme fituese në këto zgjedhje, pasi që kjo parti ishte në koalicion me një mori partish tjera si me Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim, Partia Shqiptare, Demokristiane e Kosovës, Partia Konservatore e Kosovës, Alternativa Demokratike e Kosovës, Republikanët e Kosovës, Partia e Ballit, Partia Socialdemokrate, Balli Kombëtar i Kosovës. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës formoi koalicionin me Aleanca Kosova e Re. Pra e vetmja që hyri në garë e vetme ishte Vetëvendosje.
Ky rezultat ishte jo shumë i pritur pasi ishte LVV që e vetme mori numrin më të madh të votave krahasuar me partitë tjera që ishin në koalicion.
Epilogu u përsërit edhe në zgjedhjet lokale, aty ku pritej që PDK të fitonte më shumë komuna doli e kundërta. Në këto zgjedhje PDK doli fituese në 5 komuna, LDK në 8 komuna, AAK në 7 komuna, VV në 3 komuna, NISMA në 1 komunë, AKR në 1 komunë, Lista Serbe në 10 komuna.
Partia që deri dje konsiderohej si më e madhja, PDK pësoi rënie të madhe, gjë kjo e cila habiti edhe analistët politikë.
Analisti politik, Avni Islami në një përgjigje për portalin arbresh.info ka thënë se kjo rënie e PDK-së ka të bëjë me aferat korruptive në këtë parti.
“Rënia e PDK-së është si rezultat i disa aferave korruptive të njerëzve me influencë në kuadër të PDK-së dhe në të njëjtën kohë me ardhjen në pushtet të kryetarit të partisë Kadri Veseli ku i njëjti ka filluar reformat në PDK. Pra largimi i njerëzve me afera të korruptuara dhe të dyshuara ka koston e vet”, ka thënë ai.
Sipas Islamit në rënien e PDK-së ka ndikuar edhe besimi i votuesve.
“Mirëpo mund të jetë edhe pak besimi i votuesve që e kishin tek Hashim Thaçi, sepse që të bëhet një lider duhet kohë, sikurse i ndjeri Ibrahim Rugova në LDK, në VV-Albin Kurti, në AAK-Ramush Haradinaj e kështu edhe në PDK që ka qenë Hashim Thaçi. Çdo subjekti politik i duhet kohë derisa ta krijojë një lider, por prapë po ndërlidhem se Kadri Veseli është duke bërë reformat dhe i duhet kohë. Mendoj që në planin afatgjatë PDK-ja do të kthehet fuqishëm mbas dy mandateve derisa ti kryej reformat”, është shprehur ai.
Sipas njohësit të çështjeve politike, Bajrush Morina, rënia e PDK-së ka të bëjë me rënien e Hashim Thaçit.
“Shkëlqimi dhe rënia e PDK-së është reflektim i shkëlqimit dhe rënies të Hashim Thaçit në PDK. Në fakt PDK ka përfituar jo aq shumë nga menaxhimi i Thaçit por më shumë nga përçarja e LDK-së. Thaçi u tregua “i zoti” dhe shfrytëzoi ndarjen e LDk-së për të dalë edhe ai edhe PDK-ja e para. Pa Thaçin kryetar partie nuk ka PDK parti të parë. Kadri Veseli duket se nuk është lideri i frontit. Ai gjithmonë ka vepruar “në prapavijë” pra “nën hije” ndaj edhe dalja “në dritë” nuk ka ndikuar në ndriçimin e LDK-së. Në fakt çdo parti kur humb liderin humb edhe fuqinë politike”, ka thënë ai duke shtuar se PDK mund të ngritet vetëm nëse kthehet Thaçi në këtë parti.
“ Kjo ka ndodhë me të gjitha partitë, përfshirë së fundi edhe me Vetëvendosjen. Pra është mentaliteti ynë, edhe i votuesve te partive politike që e duan më shumë liderin se sa partinë. Deri në rikthimin e Thaçit në PDK, do të ketë edhe shumë lajmë të tjera të këqija për këtë parti politike”, u shpreh ai për portalin arbresh.info.
Kurse sipas Leon Duhanaj njohës i çështjeve politike ndryshimet në kreun e PDK-së, ndikuan në ndryshime të rëndësishme brendapartiake ku siç tha ai për syrin e qytetarit nuk ishin edhe aq të theksuara.
“ Shumë figura politike me ndikim, që përgjatë dekadës së fundit kanë qenë akter kyç në parti dhe në Kosovë, sot nuk janë aktiv dhe as që dëgjohen askund. Nëse e shikojmë nga pozita momentale, me një qasje të thjeshtëzuar pragmatike, atëherë mund të themi që PDK, me largimin e z. Thaçi përkatësisht ardhjen e z. Veseli, pësoj rënie. Por, nëse e shikojmë nga këndvështrimi neutral dhe afatgjatë. Atëherë këto ndryshime mund të cilësohen si reforme e brendshme”, ka thënë ai për arbresh.info.
Duhanaj ka theksuar se edhe reformat në këtë parti e kanë bërë të vetën.
“ Në opinion, por edhe brenda vetë PDK-së ka pasur zëra që kanë shprehur pakënaqësi dhe kanë parë tek lideri aktual z, Veseli një lider që mund të dështojë. Në anë tjetër po ashtu janë dëgjuar zëra që thonë që ka ekzistuar një lloji bojkoti, me qëllim për ta djegur figurën e z. Veseli. Nëse z.Veseli, vërtetë ka filluar me reforma, atëherë do të jetë një rrugë më e gjatë por që do t’i jap frytet e veta. Kjo kërkon kohë dhe vendosmëri, por mendoj që nuk duhen të bijën në panik. Me rëndësi është që të ruhet uniteti i brendshëm. Një reformë e mirëfilltë, duket e rëndë por, mund të jetë fatlume për subjektin. Mendoj që z. Veseli, i plotëson të gjitha kushtet që ta realizojë me sukses. Megjithatë, janë vetë qytetarët, të cilët mund t’i japin mbështetje e duhur ose jo”, ka thënë ai.
Analisti politik Blerim Burjani ka thënë për arbresh.info se PDK u sprovua jo pozitivisht në dy palë zgjedhje ku sipas tij më e vështirë ishte humbja në zgjedhje nacionale se në ato lokale.
“PDK nuk mund të ecë me këtë strukurë poltiike pra duhet freskim i plotë me kaudro të reja jo me këta aktual. Kadriu duhet të mendoj mirë çfarë duhet bërë. Ai ka tentuar me një gjysmë reforme të sjell ndryshime por po shihet se kërkohet një reformë gjithpërfshirëse. Po ashtu Kadriut i është lënë partia në duar në kohën kur shumë afera e kanë përcjellë këtë subjekt poltik me lloj-lloj skandalesh dhe me probleme me rendin dhe ligjin ndërsa tash kërkohet një vizion tjetër më i ndryshëm”, ka thënë ai.
Burjani ka thënë se edhe po të ishte Hashimi kryetar nuk do të kishte ndonjë rezultat më të mirë zgjedhor.
“Ky subjekt qe një kohë të gjatë është qeverisur me rrjet dhe kontrolle politike duke përfshirë edhe kontrolla financiare dhe punësim familjar dhe partiak, dhe shumë afera tjera. Andaj Hashimi ka bërë hap pozitiv të largohet nga PDK, edhe pse shumë në PDK e dëshirojnë të kthehet prapa Thaçi në postin e kryetarit sidomos disa servil të shumtë të tij madje njërin prej tyre e ka bërë ministër. Pra Hashimi ka lënë një xhungël problemesh ne PDK dhe është strehuar në post të presidentit”, ka shtuar ai.
Ndërsa në konferencën e fundvitit 2017, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur për rënien e partisë së tij të dikurshme, PDK-së. Thaçi si gjithnjë i është shmangur përgjigjes në mënyrë diplomatike, duke u përgjigjur vetëm për pjesën se a do të rikthehet në strukturat udhëheqëse të partisë.
Ai ka thënë se nuk do të rikthehet më në partinë e tij.
“As në Parlament, as në Qeveri as në të udhëhequrit e partisë nuk do të rikthehem”, ka thënë ai.
Por a do të thotë fakti që nuk do të kthehet më në parti, një lloj pranimi për dështimin që pësoi partia e dikurshme në zgjedhjet e këtij viti. Parti kjo e cila e ngriti atë në pozitat më të larta të shtetit, që kulmoi me zgjedhjen e tij president./Valdete Berisha/Arbresh.info
Policia arreston tre persona të kërkuar me urdhëresë të Gjyk...
Gjyqtarët kosovarë delegohen për ndeshjen e UEFA Youth Leagu...
Kurti mirëpriti arkitektin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovë...
Tërmet në Japoni, sa ishte magnituda
Kombëtarja e Kosovës nis përgatitjet për miqësoret ndaj Esto...
Për çfarë Sara po e akuzon Gjestin se i mori?