Google ADS

Shkelja e privatësisë tek votat me kusht, fajësohet KQZ-ja

09:00 | 25 Tetor 2019
Arbresh.info

Rreth 27 mijë qytetarë kanë votuar me kusht në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

E fletëvotimet e tyre janë vendosur në një zarf që përmban gjithashtu emrin mbiemrin dhe nënshkrimin e votuesit, shkruan arbresh.info.

E kjo formë nga njohësit çështjeve juridike në vend po konsiderohet shkelje e privatësisë së votueseve.

Njohësi i çështjeve juridike dhe njëri nga pjesëmarrësit në hartimin e Kushtetutës, Riza Smaka, ka thënë se kjo formë e votimit është shkelje e rregullave elektorale.

Sipas tij, këto vota duhet të anulohen.

“Nuk guxon që në zarf të shkruhet asgjë përveç votës, është shkelje e rregullores elektorale dhe ato fletëvotime duhet të cilësohen pa vlerë”, ka thënë Smaka.

Smaka për këtë ka fajësuar KQZ-në.

“Fajtore është Daka dhe KQZ që nuk kanë punuar sa duhet dhe si duhet, katër vite i kanë në dispozicion, i kanë të gjitha benifitet publike shtetërore dhe pastaj gabime, formularë. Këto janë teknika të thjeshta që sa më të thjeshta të jenë, janë më të shpejta”, ka shtuar ai.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani ka thënë për arbresh.info se kjo mënyrë e votimit është shkelje e privatësisë.

“Kur mësohet emri dhe mbiemri e për cilën parti ka votu atëherë kjo është shkelje e privatësisë sepse siç e dimë të gjithë rregullat bashkohore e demokratike mbi zgjedhje e kanë parim fshehtësinë e votës sepse ajo i ruan qytetarët nga çfarëdo presioni e hakmarrje nga partitë apo figurat e caktuara politike”, ka thënë ai.

E sipas tij votimi në zgjedhje parlamentare apo lokale dallon nga ai në Kuvend.

“Në këtë rast është thy fshehtësia dhe është shkelë një parim, shtyllë e rëndësishme e procesit zgjedhor, nuk është si në Kuvend ku deputetë votojnë me dorë”, ka shtuar ai.

Ndryshe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor në Kosovë 26 mijë e 400 persona kanë votuar me kusht.

“Numri i votave me kusht në nivel vendi është rreth 26 mijë e 400, ndërsa numri i votave të personave me nevoja të veçanta është rreth 2 mijë e 150. Këto vota do t’i nënshtrohen kontrolleve, krahasimeve dhe verifikimeve me votuesit e rregullt dhe atëherë do të kemi të qartë se sa prej tyre aprovohen dhe sa refuzohen. Vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Cenimi i fshehtësisë së votimit” është vepër penale dhe sanksionohet me nenin 215 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme