Google ADS

Shitën BMW X6 dhe e lajmëruan si të vjedhur, arrestohen dy vëllezër kosovarë në Shqipëri

20:08 | 15 Prill 2023
Diellza Gashi

Janë arrestuar dy vëllezër kosovarë me banim në Finlandë, pasi kanë shitur automjetin e tyre në Kamzë dhe kishin raportuar rrejshëm për vjedhjen e saj, me qëllim përfitimin e siguracionit.

Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, thuhet se gjatë ditës së sotme janë arrestuar dy vëllezër (S. G., dhe B. G.) nga Kosova, të cilët kanë bërë kallëzim  të rremë për vjedhjen e automjetit të tyre BMË X6, shkruan arbresh.info.

Gjithashtu bëhet e ditur se janë proceduar penalisht edhe dy të tjerë, banues në Kavajë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, pas kallëzimit të marrë nga dy shtetas, për vjedhjen e automjetit të tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Insurance”.

Si rezultat i tij u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve S. G., 27 vjeç, dhe B. G., 21 vjeç, të dy banues në Finlandë. Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasit V. K., 49 vjeç, dhe I. K., 24 vjeç, të dy banues në Kavajë”, thuhet në komunikatë.

Në cilësinë e provës materiale bëhet e ditur se u sekuestruan 6 mijë e 800 euro dhe pjesët e automjetit që janë gjetur në një pikë shitjesh automjetesh, në Kavajë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Arbresh.info/

Të ngjashme