Google ADS

Shifra që shpenzojnë kosovarët për një dasmë (VIDEO)

10:17 | 22 Korrik 2017
Arbresh.info

Muajt e verës për shqiptarët por edhe për mërgimtarët që vijnë në Kosovë kryesisht janë shumë të ngjeshur me dasma dhe ahengje të ndryshme.

Tradita jonë kërkon që nuses t’i plotësohen disa kërkesa të caktuara të cilat e sapomartuara duhet t’i ketë dhuratë nga dhëndri dhe familja e tij e të cilat shpeshherë bëhen shumë të kushtueshme.

Ndërsa ata që kanë punë me këto çifte të ardhshme janë dyqanet e nusërisë, argjendaritë por edhe restorantet ku zhvillohen dasmat.

Në një prononcim për Arbresh.info pronari i njërit nga dyqanet e nusërisë në Prishtinë ka thënë se çmimet variojnë në bazë të kërkesave të klientëve por edhe në bazë të kualitetit dhe rëndësisë së llojit të produktit që merr.

Ai ka thënë se çmimet e fustaneve të nusërisë fillojnë nga 100 euro e deri në 800 euro, dallama, këmisha, shallvaret, këpucët, tasfesi dhe kamzat variojnë prej 100 deri në 1000 euro, kurse jeleku i arit, dimiat, kollani, zhyponi dhe këmisha me oja variojnë prej 200 deri në 500 euro.

Mirëpo veshjet nuk janë produktet e vetme për të cilat shpenzohet shumë për dasma dhe ahengje.

Vetëm për komplet ari një çift duhet të ndaj një shumë prej 300 deri në 1000 euro e të cilat mund të shkojnë edhe më lart, gjë që sipas pronarëve të argjendarive në kryeqytet varet nga kërkesat e klientit dhe buxheti që posedon.

Përveç këtyre shpenzimeve duhet të rezervohet edhe restoranti dhe muzika të cilat kanë një rol të madh në një dasmë shqiptare.

Pronari i restorantit “Golden” në Prishtinë, Driton Hoti në një përgjigje për Arbresh.info ka thënë se rezervimet mund të kushtojnë deri në 10 mijë euro duke përfshirë menynë, muzikën, xhirimet por që mund të shkojnë edhe më lartë e gjitha varet nga kërkesa e klientëve.

“Rezervimet për 300 persona sillen nga 10 mije euro duke përfshirë menynë, xhirimet e dasmës, por mund të shkojnë edhe me lart e gjitha varet nga kërkesat e klientit”, është shprehur Hoti.

Nëse merret në mesatare, i bie se një familje apo një çift në Kosovë për një dasmë shpenzon minimalisht 15 mijë euro e që mund të shkoj deri në 20 mijë euro mesatarja.

Duke e pasur parasysh pagën mesatare në Kosovë e cila sillet rreth 350 euro, ky nivel i shpenzimeve për një dasmë mbetet tejet i lartë./Arbresh.info/R.Rexhepi

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme