Google ADS

Shfuqizimi i Speciales, Kosova rrezikon të humb njohjet

07:23 | 5 Janar 2018
Arbresh.info

Gjykata Speciale, tema që u la në gjysmë në vitin që shkoi e që u raportua se do të vazhdoj edhe në vitin 2018, duket të jetë tema më e nxehtë deri më tani. Kjo temë po lëkund edhe themelet e pavarësisë së Kosovës pasi që disa deputetë mblodhën nënshkrimet për shfuqizimin e kësaj Gjykate.

Prapa kësaj iniciative u tha se janë tre krerët e shtetit, presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj mirëpo ajo iu dështoi pasi që nuk u mblodhën nënshkrimet në numër të duhur që të bëhej një gjë e tillë.

Ky veprim ngjalli reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përmes një deklarate  për media. Kjo ambasadë tha se përpjekjet për shfuqizimin e Speciales do ta kthenin Kosovën shumë vjet prapa.

“Gjatë kësaj jave udhëheqësit e Kosovës kanë bërë deklarata të përsëritura publike duke thënë se një iniciativë lidhur me Gjykatën Speciale, e ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës, nuk do të dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës. Ata e kanë gabim. Çfarëdo përpjekje e tillë e përsëritur do të kishte pasoja të thella negative për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara”, thuhej në deklaratë .

Po ashtu në këtë deklaratë të Ambasadës Amerikane u përmend edhe përkrahja e patundur e SHBA-së ndaj Kosovës, gjë që la të nënkuptoi se nëse miratohet një nismë e tillë, vihet në pikëpyetje miqësia e Kosovës me këtë shtet.

“Gjithashtu, kërcënimet me dhunë janë tërësisht të papranueshme, dhe qartësisht dhe pa mëdyshje ato duhet të hidhen poshtë nga Qeveria. Jemi jashtëzakonisht të dëshpëruar me ata që do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre dhe përkrahjen e patundur të Shteteve të Bashkuara në favor të interesave të tyre personale”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.

Ndaj nismës për shfuqizimin e Spaeciales kanë reaguar edhe shtetet e QUINT-it.

“Nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara dhe ftojmë secilin kryesues të institucioneve, udhëheqës të partive apo deputet, të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo ri-negocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rrezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vënë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare. Ne e dënojmë një gjë të tillë, dhe kushdo që mbështetë një gjë të tillë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë. Në të njëjtën kohë, presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë”, thuhet në reagimin e këtyre shteteve.

Ndërkohë, analistë thonë se me këtë iniciative po rrezikohet humbja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga miku më i madh, SHBA-të.

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj në një përgjigje për portalin Arbresh.info ka thënë se çdo përpjekje për ta zhbërë Specialen është akt kamikaz në politikë.

“Gjykata nuk është dashur të ndodhë sepse është pasqyra e dështimit institucional të Kosovës. Por, meqë u bë temë dhe kërkesë absolute e qarqeve ndërkombëtare si pasojë e akuzave të shumta e të pazgjidhura, tani më është realitet dhe çdo përpjekje për ta zhbërë në kundërshtim me miqtë ndërkombëtarë, për mendimin tim është një akt kamikaz në politikë. Ironia më e madhe e krejtë kësaj është se shumë nga ata që sot janë të zëshëm, për ta zhbërë këtë gjykatë, kanë dhënë kontributin më të madh që kjo të ndodhë. Nuk është kontribut i atyre, që sot thonë, Gjykata nuk mund të shfuqizohet, por është i atyre që për dy dekada shkelen çdo ligj, çdo vlerë të tij, çdo parim të mundshëm, çdo mendim kritik ndaj tyre, vetëm e vetëm të pasurohen jashtëligjshëm”, ka thënë ai.

Duhanaj ka thënë se Gjykata nuk i bënë dëm Kosovës aq sa sipas tij i bëri dëm raporti i Dick Martit.

“Gjykata nuk i bën dëm Kosovës, sa i bëri Raporti Dick Marty. Raport për të cilin Kosova nuk arriti apo nuk e pati vullnetin ta trajtojë seriozisht. Do të ishte ndryshe, se menjëherë në atë kohë, nga Kosova, do të inicohej një një hetim serioz, duke shfrytëzuar ndihmën edhe të miqve ndërkombëtarë për këtë çështje. Por jo, kjo nuk ndodhi, sepse askush nga të apostofuarit, përpos deklaratave boshe, nuk e pati vullnetin të nisë hetim për ta pastruar veten e tij dhe gjithë ne së bashku. Tani Gjykata është realitet. Janë bërë parapërgatitje dhe investime të mëdha për të. Tentativa për ta shfuqizuar, është jo vetëm e gjorë, por siç e ceka më lartë , akt kamikaz politik”, nënvizoi ai duke shtuar se nëse i shpallin luftë shteteve mik, do të ketë ka pasoja të mëdha për Kosovën.

Blerim Burjani, analist politik ka thënë për portalin Arbresh.info se nëse shfuqizohet Specialja, Kosova do të stagnojë në drejtim të BE-së.

“Miqtë nuk do të humben por Kosova do të stagnojë në drejtim të BE-së dhe ofrimit të ndihmave ndërkombëtare , ndihmë për ndërtimin e Ushtrisë e shumë gjëra. Pra nëse nodhë kështu atëherë qytetarët e Kosovës do të ballfaqohen me izolimin edhe për një kohë të  pacaktuar”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, shfuqizimi i ligjit po bëhet për disa pazare.

“Shfuqizimi i ligjit nuk është rrugë për të zgjidhur e mospajtime me ndërkombëtarët, edhe pse PDK dhe të tjerët e kerkojnë plotësim ndryshimin e këtij ligji në disa nene. Reagimi i gjykatës është se asnjë presje nuk mund të hiqet. Kjo punë po bëhet për të bërë pazare dhe marrvëshje me disa faktor ndërkombëtar. Tash a do te pranohet ndonjë marrëveshje për disa tema si ushtria, liberalizimi, kjo punë po shkon ka kushtëzimi që disa parti në Kosovë po dëshirojnë t’i bëjnë bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Burjani.

Ndryshe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar dje duke thënë se nuk guxon të eksperimentohet dhe të cënohet miqësia me shtetet që e bënë të mundur realizimin e ëndrrave të qytetarëve për liri e pavarësi.

“Tre bartësit e institucioneve të vendit duhet të tregojnë maturi politike shumë më të madhe. Në fund të fundit, duhet të tregojmë para shteteve mike se nuk i druhemi drejtësisë ndërkombëtare dhe në fakt duhet të kërkojmë me ngulm që kjo gjykatë të jetë shumë më efikase që Kosova të lirohet sa më parë nga çfarëdo akuze e pretenduar.  Departamenti Amerikan i Shtetit në deklaratën e fundit ka qenë shumë i qartë në kërkesën që ka ndaj institucioneve të Kosovës dhe spektrit politik kosovar. Pres që të gjitha forcat politike të reflektojnë në këtë drejtim dhe t’i bashkohen LDK-së në ruajtjen e miqësisë me SHBA-të”, ka deklaruar Hoti duke shtuar se LDK do ta ruaj miqësinë me shtetet mike.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në një deklaratë për media dje ka thënë se Vetëvendosje do të votoj pro shfuqizimit të Speciales.

Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, thotë se partia së cilës i përket ai do të votojë pro shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale. Sipas tij, nismën për zhbërjen e Gjykatës Speciale do të duhej ta merrte Qeveria ose Presidenti mirëpo tha se ata po shfrytëzojnë “individë” e rrugë të tjera për këtë gjë.

“Vota pro e Lëvizjes “Vetëvendosje” për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk po bëhet për mbrojtjen e individëve të caktuar, por për qytetarët e Kosovë”, kishte thënë Selimi.

Kurse kërkesa për shfuqizimin e Speciales kishte ardhur më 22 dhjetor të vitit që lamë pas nga 43 deputetë të partive në pushtet që kishin mbledhur nënshkrimet e tyre./V.Berisha/Arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme