Tendencat e një grupi deputetësh për ta bërë të plotfuqishme kërkesën e organizatave të luftës së UÇK-së për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale janë të kota. Funksionalizimi i kësaj gjykata nuk ndalet me shfuqizimin e ligjit në fjalë, për sa kohë që mbi të ekzistojnë tri akte ndërkombëtare: një i lidhur drejtpërdrejtë me BE-në, ndërsa dy akte të tjera të lidhura me Holandën, shkruan AktivPress.
Ligji për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale është vetëm derivat i këtyre marrëveshjeve që imponuan edhe ndryshimet kushtetuese, qysh në kohën kur shteti udhëhiqej nga Atifete Jahjaga. Në letrën të cilën ish-presidentja e Kosovës ia pati dërguar pararendëses së Federica Mogherinit, Baroneshës Catherine Ashton, në prill të vitit 2014, shprehte gatishmërinë e Kosovës për të themeluar Dhoma të Veçanta gjyqësore të cilat do të zhvendoseshin në një shtet të tretë, në bazë të marrëveshjes me shtetin respektiv.
“Kosova merr përsipër të miratoj legjislacionin përkatës për të mundësuar themelimin dhe funksionimin e dhomave të dedikuara gjyqësore…Zhvendosja e tillë do të kërkojë negocimin dhe ratifikimin e një marrëveshjeje mbi statusin e asaj Gjykate në atë vend nga shteti nikoqir dhe nga Kosova. Kosova do të ndërmarrë të gjitha veprimet e arsyeshme që të hyjë në një marrëveshje të tillë me shtetin nikoqir si dhe pa vonesa të ratifikojnë atë marrëveshje në Kosovë”, thuhet ndër tjera në letrën që Jahjaga ia kishte dërguar baroneshës Ashton.
Dhe ashtu kishte ndodhur, ndonëse jo edhe aq shpejtë sa që pretendohej. Në gusht të vitit 2015 u bënë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për krijimin e bazë juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar, ndërsa në shkurt të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës ratifikoj Marrëveshjen ndërkombëtare me Mbretërinë e Holandës mbi organizimin e Institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës të zhvendosur në Holandë.
Në pjesën hyrëse të kësaj marrëveshje janë specifikuar dokumentet juridike mbi të cilat mbështetet ajo. Aty pos që përmenden ndryshimet kushtetuese dhe miratimet e ligjeve për dhomat e specializuara, theks i vihet edhe nënshkrimit të një marrëveshjeje të përkohshme me Mbretërinë e Holandës, e cila po ashtu ka karakter të marrëveshjes ndërkombëtare.
Në mënyrë eksplicite në pjesën hyrëse të Marrëveshjes ndërkombëtare me Mbretërinë e Holandës mbi organizimin e Institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës, ndër tjera thuhet se kjo marrëveshje arrihet: “Duke iu referuar shkëmbimit të letrave ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë të datës 14 prill të vitit 2014, të ratifikuara me Ligjin e Kosovës Nr. 04/L-274 të datës 15 maj 2014, i cili përmban zotimin e Republikës së Kosovës për krijimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në kuadër të sistemit gjyqësorë të Kosovës që do të përdoren për procedurat gjyqësore dhe të apelit që dalin nga hetimi i Task Forcës Speciale Hetuese të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në lidhje me Dokumentin 14262 të Raportit të Kuvendit Parlamentar të Këshillit të Evropës të datës 7 janar 2011 i cili mund të ri-zhvendoset në një Shtet të tretë që është subjekt i arritjes së Marrëveshjes mbi Shtetin Pranues me Shtetin Pranues”.
Marrëveshjet ndërkombëtare mbi ligjet
Në Marrëveshjen ndërkombëtare përmendet edhe nevoja për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës të dala nga Ligji Nr. 04/L-274 në lidhje me pretendimet e krimeve të caktuara të raportuara në Dokumentin 14262 të Raportit të Asamblesë Parlamentar të Këshillit të Evropës të datës 7 janar 2011, i cili ka qenë subjekt i hetimit penal nga Task Forca Speciale Hetuese e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Me Kushtetutën e Kosovës, marrëveshjet ndërkombëtare janë mbi çdo akt tjetër ligjor, pos mbi Kushtetutën, shkruan AktivPress.
“Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe normat juridikisht të detyrueshme të së drejtës ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktin më të lartë juridik të shtetit.
Marrëveshjet e tilla miratohen me votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, më saktësisht me minimumin prej 80 votave.
Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njëjtën procedurë të vendim marrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kjo dispozitë paraqet “pikën e pakalueshme” për deputetët që duan ta bllokojnë funksionalizimin e Gjykatës Speciale.
E para ata nuk mund të sigurojnë 80 vota për t’i hyrë procesit të shfuqizimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe e dyta, ata nuk mund të marrin pëlqimin e Holandës për të hequr dorë nga marrëveshjet e arritura me Kosovën vite më parë.
Njëra prej këtyre marrëveshjeve përmban edhe nënshkrimin e presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili asokohe ishte zëvendëskryeministër i Kosovës.
Lëkundjet e presidentit
Hashim Thaçi, i cili kohëve të fundit është lëkundur në qëndrime sa i përket Gjykatës Speciale, në gusht të vitit 2015 i ftonte deputetët që të votonin pro Gjykatës Speciale, me qëllim që të hapej perspektiva dhe ai vit të shndërrohej në vit evropian për Kosovën.
“Unë nuk mund ta imagjinoj këtë rrugëtim të së ardhmes sonë si vend, shoqëri dhe institucione të izoluara, por si një proces që lëvizim përpara bashkërisht, pa dallime partiake, e në të njëjtën kohë në një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimin Evropian edhe me NATO-n. Prandaj, deputetë të nderuar, ju ftoj të gjithëve që të votoni pro themelimit të Gjykatës Speciale”, pati thënë Thaçi.
Edhe Kadri Veseli, si kryetar i Kuvendit pati mbajtur të njëjtën linjë me ish kryetarin e PDK-së.
Ai pati dalur në foltore dhe pasi pati shprehur brengat e tij në lidhje me zhvillimet që po ndodhnin në vend, pati bërë një apel edhe për ndërkombëtarët.
“Kisha pas nja dy llafe t’i flas pasi i kemi edhe përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare. Ne do ta votojmë gjykatën speciale, do ta votojmë për arsye se e mira e atdheut tonë edhe mendojmë mbi interesat individuale, por edhe ju është mirë të respektoni më shumë shtetin tonë, pavarësinë e vendit tonë. Qytetarët tonë mos me i lënë të izoluar, ka 5 vjet si qytetarët tonë janë të izoluar padrejtësisht, bëni standarde, thuaja se Kosova është çerdhe e krimit të organizuar, thuaja se Kosova e ka shpik krimin e organizuar, korrupsionin”, pati thënë Veseli asokohe kujton AktivPress.
“Padrejtësia në emër të drejtësisë”
Kreu i Kuvendit ka shkruar edhe tash për Gjykatën Speciale.
Ai ka thënë se më së paku në botë e ka merituar Kosova t’i ndodhë kjo gjë, pasi ka qindra argumente që flasin kundër saj!
Thjeshtë, sipas tij, kjo “është padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë!”
“Qëndrimi im ndaj saj mbetet ai që e kam thënë në Kuvend tash e dy vite më parë. Nuk kemi mundur ta ndalnim as atëherë. 22 Dhjetori vetëm e dëshmoi këtë! Por, krejt çfarë ne mundemi, është të mos jemi aq entuziastë e naiv në pritshmëri joreale dhe të mos ushqejmë shpresa hakmarrëse”, ka thënë Veseli.
Me një dozë kriticizmi, ai u është drejtuar edhe iniciuesve të kërkesës për shfyqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
“Së pari iniciuesit, kur e menduan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duhet ta kishin menduar më mirë, pra edhe reaksionin kundër! Ata, në dështimin e tyre, treguan se nuk ishin të përgatitur dhe serioz për ta shtyrë përpara iniciativën e tyre. Do të thotë se nuk ishin të gatshëm të merrnin përgjegjësi!”, ka shkruar Veseli, duke shtuar se “një gjë na e ka mësuar jeta: kur fillon diçka, duhet të marrësh përgjegjësi e kjo nuk bëhet duke i ikur asaj.
AktivPress mëson se deputetët nuk do të tërhiqen pas dështimit të parë dhe se ata do ta riniciojnë të njëjtën kërkesë ditëve në vijim, pavarësisht se thirrjet e diplomatëve të shteteve të QUINT-it janë që mos të ndërrmerren veprime të tilla.
Por, si kryeministri Ramush Haradinaj, si Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ashtu edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët ditëve të fundit po cilësohen nga opozita dhe një pjesë ë shoqërisë civile si “treshja që po e izolon Kosovën” janë përcaktuar që të respektojnë vullnetin e deputetëve. /Aktivpress
Punëtorët e ‘Pastrimi’ thirrje për kryetarin Ram...
E krahasuan me Mourinho, Guadrdola: Unë kam gjashtë tituj, ...
Punimet në rrugën Shirokë-Zogaj, Rama: Po punohet me ritme t...
Çka është infrastrukturë kritike e Kosovës dhe kush e ruan?
Mbrojtësi i viktimave do t’i thërrasë dëshmitarët e vet pasi...
Certifikimi i subjekteve politike dhe dorëzimi i listës së k...