Shërimi me plazmën e gjakut vështirë i realizueshëm, vaksina problematike shkaku i mutacioneve të virusit

07:48 | 10 Janar 2021
L G

Ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj tash e disa muaj ka formuar grupin punues që do të merret me hartimin e protokollit për përdorimin e plazmës konvaleshentë te pacientët me Covid-19.

Por, ende nuk dihet se kur do të fillojë trajtimi i personave të infektuar me koronavirus, me plazëm e gjakut të personave të shëruar nga ky virus.

E, ekspertet e shëndetësisë mendojnë se, përdorimi i plazmës është terapi e vështirë të menaxhohet.

Sipas, Dr. Gani Abazi, Ekspert i Shëndetësisë Publike, Universiteti i Harvardit, Boston, SHBA, vlerëson se përdorimi i plazmës është terapi e shtrenjtë, dhe në aspektin logjistik shumë e vështirë që të sigurohet dhe menaxhohet.

“Rezultatet klinike nga përdorimi i plazmës me antitrupa nga personat që e kanë kaluar sëmundjen e COVID-19, janë akoma në studim dhe kjo lloj terapie është e shtrenjtë dhe në aspektin logjistik shumë e vështirë që të sigurohet dhe menaxhohet”, shprehet ai.

Sipas tij, prioritet duhet të jetë vaksinimi pasi që në këtë formë parandalohet infeksioni.

“Ndërkohë që duhet të bëhet maksimumi në menaxhimin klinik sa me të mirë të pacientëve që janë infektuar me virusin e COVID-19, vaksinimi i të gjithë popullsisë së Kosovës, duke filluar me grupet e rrezikut, është prioritet absolut, pasi që në këtë formë parandalohet infeksioni”, deklaroi ai.

Edhe eksperti i shëndetësisë, Ilir Hoxha, thotë se, krijimi i mundësive për shërim është ende shumë relevant.

Ai mendon se, virusi do të pësoj mutacione dhe vaksinat do të duhet vazhdimisht të rizbulohen për të arritur efektin.

“Nuk mund të krahasohen aplikimi i plazmës me vaksinën, pasi janë relevante për faza të ndryshme të kontaktit me virusin. Plazma kur sëmurët dhe pacientit mund të i ndihmoj të luftoj sëmundjen. Vaksina është mjet parandalues që krijon imunitet të personit. Njerëzit do të sëmuren edhe pasi që është gjet vaksina. Andaj krijimi i mundësive për shërim është ende shumë relevant, sidomos për faktin që virusi do të pësoj mutacione dhe vaksinat do të duhet vazhdimisht të ri zbulohen për të arritur efektin”, pohoi ai.

Arbresh.info ka tentuar të marrë edhe një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, lidhur më këtë çështje por nuk janë përgjigjur.

Ndryshe Kosova ka siguruar vaksina kundër koronavirusit, të cilat do të arrijnë në muajin shkurt, ndërsa prioritet do të kenë punonjësit shëndetësorë, personat mbi 65 vjet si dhe personat me rrezikshmëri të lartë./A.Zeka./arbresh.info/

Të ngjashme