Transformimi i FSK-së në ushtri pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare është vështirë i realizueshëm. Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, i cili nismën e vrullshme të presidentit Hashim Thaçi për krijimin e ushtrisë nëpërmjet ligjit e ka cilësuar si tendencë për bajraktarizëm dhe protagonizëm.
Në një intervistë për gazetën “Zëri”, duke folur për bërjen e ushtrisë Sherifi ka thënë se iniciativa e presidentit Thaçi për ta ndryshuar mandatin e FSK-së përmes rrugës ligjore, në koordinim me ndërkombëtarët, ka qenë një gënjeshtër e cila, siç është shprehur ai, ra tek pas ardhjes së përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë.
E në këtë “kurth” të ngritur për të tjerët, sipas Sherifit, para pak ditësh ra vetë presidenti Thaçi. Më tej sekretari i “Nismës” ka folur edhe për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, me ç’rast është shprehur i bindur se versioni aktual i saj nuk kalon në asnjë mënyrë.
Ndërkaq, ka bërë me dije se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të bëhet vetëm duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë kësaj interviste ai ka folur edhe mbi atë se a do të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, për kthimin e Listës Serbe në Kuvend e për shumë çështje të tjera.
Zëri: Si e keni parë rikthimin e Listës Serbe në Kuvend, a mendoni se prapa kësaj lëvizjeje fshihet ndonjë pazar politik?
Sherifi: Vendimi i Listës Serbe për t’i bojkotuar punimet e Kuvendit të Kosovës është bërë për arsye politike dhe është krejt e pritshme që po për arsye politike të marrin vendim për ta përfunduar bojkotin dhe me këtë edhe kthimin e tyre në Kuvend. Duke e pasur parasysh faktin se këtë Qeveri që nga fillimi e ka karakterizuar mungesa e transparencës nuk do të befasohesha nëse kthimi i tyre është i lidhur me ndonjë koncesion ndaj tyre. Tani nuk mund me siguri të them se për çfarë koncesionesh bëhet fjalë, por herët apo vonë kjo gjë do të merret vesh sepse fundja marrëveshjet mund të bëhen fshehtas, por zbatimi i tyre nuk mund të bëhet fshehtas.
Zëri: Serbët u deklaruan se do ta votojnë Demarkacionin, tani thuhet se edhe Asociacioni do të kalojë, mirëpo ka rrezik që jo me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Si e shihni ju këtë?
Sherifi: Versioni aktual i Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk kalon më. Tanimë kemi një numër të mjaftueshëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës qoftë nga mazhoranca, qoftë nga opozita të cilët kanë deklaruar se në asnjë rast nuk do ta votojnë këtë version të marrëveshjes. Duke e pasur parasysh këtë fakt, mund të them lirisht se ndihma që Lista Serbe ia ka ofruar Qeverisë për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit është e pamjaftueshme. Ndërsa sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai mund të bëhet vetëm duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Çdo tendencë për të vepruar në kundërshtim me këtë aktgjykim do të përbënte shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Thaçi përfundimisht e shpalli të përfunduar iniciativën e tij për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës
Zëri: Presidenti Thaçi ka nisur një iniciativë për ndryshimin e mandatit të FSK-së. Qeveria ende nuk e ka proceduar në Kuvend, derisa bashkësia ndërkombëtare nuk po pranon që kjo të bëhet pa ndryshimet kushtetuese, si e shihni ju gjithë këtë proces?
Sherifi: Thënë realisht, iniciativën e z. Thaçit për ta ndryshuar mandatin e FSK-së përmes rrugës ligjore dhe jo përmes ndryshimit të Kushtetutës që nga fillimi e kam parë me dyshim. Ai, sikur të gjithë të tjerët, e ka ditur se një gjë e tillë është vështirë e realizueshme pa arritur një marrëveshje me aleatët perëndimorë të Kosovës, si SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian dhe megjithatë e filloi këtë iniciativë. Tani, pse Thaçi megjithatë e procedoi projektligjin, madje me pompozitet dhe krekosje që e karakterizon atë, sipas mendimit tim ka disa shpjegime. Njëra nga to është dëshira e papërmbajtshme e tij për protagonizëm dhe bajraktarizëm. Arsyeja tjetër, sipas mendimit tim, është se Thaçi ka pritur që partitë tjera, sidomos ato në opozitë, për faktin se ai e ka filluar këtë iniciativë, nuk do ta mbështesnin këtë iniciativë dhe kështu ai do të mundë të fillonte një fushatë të linçimit publik të tyre duke i akuzuar se për inate personale janë të gatshëm t’i rrezikojnë interesat nacionale dhe shtetërore siç është transformimi i FSK-së në ushtri.
Nëse në fillim të kësaj iniciative arriti që ta mashtrojë publikun se këtë iniciativë e ka filluar në bashkëpunim me aleatët perëndimorë, ai personalisht e ka ditur se kjo nuk është e vërtetë dhe se është një mashtrim. Kjo gënjeshtër e tij ra përfundimisht pas ardhjes në Kosovë të zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee.
Dje, përfundimisht e shpalli të përfunduar iniciativën e tij për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës përmes ligjit dhe u zotua se kjo do të bëhet nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Praktikisht kjo çështje u kthye aty ku ishte para 5 marsit. Në një mënyrë kurthin që ngriti për të tjerët, Thaçi ra vetë.
Zëri: Së fundmi duket sikur ka nisur fushata elektorale në vendin tonë pasi shumë politikanë, por edhe liderë kanë nisur takimet e tyre nëpër Kosovë. Madje po flitet edhe për zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme. Maji dhe qershori po fliten si muaj për zgjedhje. A mund të ketë zgjedhje të parakohshme?
Sherifi: Deri më tani në disa raste e kam shprehur mendimin tim dhe ende vazhdoj të besoj se i tërë ky angazhim i partive politike, sidomos të atyre në pushtet e në veçanti “turi i dëgjimit 1” dhe paralajmërimi i “turit të dëgjimit 2” të kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, janë shenja se vendi është duke shkuar në drejtim të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.
Për mendimin tim këto “turne të dëgjimit” janë një dejavu e “Misionit të Ri” të Thaçit. Edhe atëherë mohohej nga z. Thaçi se misioni i tij do ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por ne e dimë se një gjë e tillë ndodhi dhe vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme në qershor të 2014-s. Duke u bazuar në tërë këto që i thashë, besoj që zgjedhjet e parakohshme tanimë mund të them se janë të pashmangshme.
Zëri: Ju tashmë keni një koalicion me AAK-në. A jeni gati për zgjedhje të parakohshme nëse do të kemi dhe a mendoni ta zgjeroni koalicionin?
Sherifi: Po, ne jemi në koalicion me AAK-në dhe gjithsesi se jemi gati për zgjedhje të parakohshme. Gjithashtu zgjerimi i koalicionit ka qenë dhe vazhdon të mbetet objektiv i koalicionit parazgjedhor mes “Nismës” dhe AAK-së.
Gjykata Speciale është një padrejtësi e madhe që i është bërë Kosovës
Zëri: Gjykata Speciale do të jetë gati ligjërisht të nisë punën e saj në maj. Sa rrezikon kjo Gjykatë në stabilitetin politik dhe social në vend?
Sherifi: Gjykata Speciale është një padrejtësi e madhe që i është bërë Kosovës. Asnjëherë në histori nuk ka ndodhur që të themelohet një gjykatë për të gjykuar viktimën përderisa agresorit i lejohet vetë t’i gjykojë kriminelët, të cilët krimet i kanë kryer duke qenë pjesë e mekanizmave të shtetit si ushtria dhe policia.
Kjo që po i ndodh Kosovës me Gjykatën Speciale është njëjtë sikur për shtetet aleate të Luftës së Dytë Botërore të krijohej një gjykatë për t’i gjykuar luftëtarët që kanë luftuar kundër nazistëve, ndërsa Gjermanisë naziste t’i lihej që ajo vetë t’i dënojë kriminelët të cilët ishin përgjegjës për tërë ato krime të tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, kjo Gjykatë tanimë është fakt dhe edhe pse e padrejtë, rrugë tjetër pos ballafaqimit me mjete juridike nuk ka. Prandaj nuk pres që për shkak të fillimit të punës së kësaj Gjykate të ketë destabilizim politik dhe social të vendit.
Gjesti krijon momente magjike në oborrin e BBVK3, në orën 4 ...
“Krishtlindja këtë vit nisi me një mrekulli të vogël”, Rama ...
Bombardimet pakistaneze në Afganistan vrasin 46 persona
Aksident i rëndë në fshatin Dobërçan, katër persona dërgohen...
Serbia ia refuzon Sveçlës kërkesën për vizitë në Luginë, MPJ...
Reduktimet e rrymës, reagon Daut Haradinaj: Hajnia me GEN-in...