Sherifi: Nëse i fitojmë zgjedhjet, jemi të hapur për koalicion me të gjitha partitë

00:11 | 20 Shtator 2019
Trina Galanxhi

Kandidati për deputet nga radhët e koalicionit NISMA-AKR-PD, Bilall Sherifi, i ftuar në emisionin DPT te Fidani, ka deklaruar se për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi që vetëm partia e parë do ta formonte qeverinë, ka bërë që qeverisja e ardhshme të varet e tëra nga partia e cila del e para.

Ai ka deklaruar se nëse koalicioni NISMA-AKR-PD del në vendin e parë, do të jetë e hapur për bisedime politike me të gjitha partitë që arrijnë të marrin ulëse në kuvend për një koalicion të mundshëm.

“Nëse NISMA del e para, atëherë do të uleshim të bisedonim me të gjitha partitë që kanë marrë mandate për të qenë pjesë e parlamentit për të krijuar qeveri të përbashkët” tha Sherifi.

Ai tutje shtoi se me LDK’në kanë marrëdhënie të mira dhe nuk e përjashton një koalicion të mundshëm me ta.

“Për një koalicion me LDK’në, e dimë që Limaj do të zhvillonte bisedime, për shkak edhe të marrëdhënieve të mira personale e korrekte me z.Mustafa” tha ai.

Ai tutje shtoi se nëse LDK dhe VV vendosin të bëjnë koalicion “nuk do të kenë mjaftueshëm vota për ta bërë qeverinë”.

Por për Sherifin, me rëndësi është që qeveria e ardhshme të mos jetë e varur nga Lista Serbe. /GazetaExpress/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme